Një qasje ndryshe ndaj marrëdhënieve greko-turke

Nga Alexis Heraclides, Andreas Stergiou, Theodoros Tsikas & Konstantinos Tsitselikis “Kathimerini

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Dështimet e përsëritura për të zgjidhur mosmarrëveshjet greko-turke gjatë dekadave të fundit janë pranuar si një pjesë e realitetit. Në Greqi ekziston konsensusi se drejtësia është në anën tonë, ndërsa pala tjetër kritikohet gjithmonë si tepër kërkuese dhe agresive.

Përveç bllokimit të plotë, që pasqyron shpesh fatin zhgënjyes të problemit të Qipros, dominon “korrektësia kombëtare” që bazohet tek një sërë pikëpamjesh të paracaktuara dhe që demonizon çdo lloj propozimi alternativ, edhe nëse ai mund të bazohet në të drejtën ndërkombëtare apo është një praktikë e konsoliduar ndërkombëtare.

Megjithatë, citimi në mënyrë rastësore i “të vërtetës kombëtare” dhe i “pretendimeve të drejta kombëtare” mund të vërë në dukje vetëm pasoja negative për Greqinë. Kultivimi i frikës, konsolidimi i informacioneve të rreme dhe i vlerësimeve të shtrembëruara, si dhe ndërtimi i lloj-lloj mitesh kombëtare, prodhon mohimin e vazhdueshëm të dialogut që synon zgjidhjen e mosmarrëveshjeve rreth idesë së përfitimit reciprok.

Ndërkohë, kjo lloj qasje plotë vetëkënaqësi ndaj mosmarrëveshjes nxit pasigurinë kombëtare, e cila nga ana e saj na shërben si një justifikim për programet e mëdha të mëdha, të cilat vendosen nën një presion të madh buxhetet në të dyja vendet, teksa e mbajnë peng rritjen dhe zhvillimin e tyre.

Shumë çështje duken të pamundura për t’u zgjidhur, ndërsa në fakt nuk janë të tilla. Gjatë dekadave të fundit, Turqia ka sfiduar gjithnjë e më shumë pjesë të territorit sovran grek, një praktikë që shpesh shoqërohet me kërcënime verbale.

Ndërkohë, Greqia këmbëngul në pretendimet e saj maksimaliste për zona sovrane dhe me një ligjshmëri të dyshimtë (për shembull, duke përfshirë pretendimet në lidhje me hapësirën ajrore greke dhe tendencën për demarkacionin e njëanshëm të ujërave territoriale dhe Zonave Ekskluzive Ekonomike).

Të dy rivalët në Detin Egje janë të fiksuar secili pas bindjes se “e drejta është në anën tonë”. Por kjo nuk është e vërtetë. Ekzistojnë dy lloje sigurish irracionale: E para është të kundërshtosh të drejtat e vendosura të palës tjetër; dhe e dyta është të shpallësh të drejtat e tua sovrane mbi themele të lëkundshme.

Disa nga siguritë që riprodhohen nga pala greke, si dhe ajo turke, janë të vështira për t’u vërtetuar ligjërisht. Njëkohësisht, si publiku grek po ashtu edhe ai turk, kanë shumë pak gjasa që të vënë në dyshim siguritë që janë kultivuar nga qeveritë dhe mediat e tyre për vite me radhë.

E kush mund të shpërfillë faktin se të shikuarit e fakteve për atë që janë dhe bashkëpunimi dypalësh (apo rikthimi tek ndërmjetësimi apo arbitrazh ndërkombëtar) janë të dyja kushte të nevojshme jo vetëm për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, por edhe për përdorimin dhe ruajtjen e burimeve të përbashkëta?

Për shembull, lufta kundër ndotjes plastike në Detin Egje, mund të arrihet vetëm përmes një fushate të përbashkët. Ndërkohë edhe shfrytëzimi i peshkimit, burimeve dhe energjisë së rinovueshme kërkon gjithashtu një sinergji të përbashkët. Në një botë që po përballet me krizën e klimës, bashkëpunimi nuk është një opsion, por një aftësi mbijetese.

Ajo që ne dëshirojmë të arrijmë është (ri)fillimi i një dialogu në Greqi në lidhje me çështjet që po trazojnë realisht marrëdhëniet greko-turke. Ne duam që të anulojmë pyetjen automatike mbi besimin e palës tjetër, e cila i minon shanset për një zgjidhje.

Ne duam të kontribuojmë në ndërtimin e besimit, sepse kushti më i rëndësishëm për çdo formë dialogu që synon të promovojë bashkëjetesën kuptimplotë midis Greqisë dhe Turqisë është që të dyja palët të çlirohen nga çdo gjë që po i helmon lidhjet dypalëshe, që rrezikon paqen, parandalon zhvillimin e burimeve natyrore dhe e minon zhvillimin e ndërsjelltë.

Një qasje e tillë duhet të thyejë tabunë rreth “çështjeve kombëtare” të Greqisë. Pala greke duhet që t’i japë përparësi temave të mëposhtme me synim gjetjen e zgjidhjeve të favorshme përmes dialogut të sinqertë dhe negociatave dypalëshe me Turqinë (mundësisht në baza dypalëshe, pa ndërmjetës apo arbitra ndërkombëtarë):

– Demarkacioni përfundimtar i kufijve detarë.

– Përcaktimi i zonave ku shtetet mund të ushtrojnë të drejtat e tyre sovrane, me synim eksplorimin dhe shfrytëzimin e burimeve natyrore (Zona Ekskluzive Ekonomike, shelfi kontinental).

– Demarkacioni i hapësirës ajrore greke.

Është gjithashtu e nevojshme që të ketë një dialog, marrëveshje ose ndërprerje të pretendimeve të njëanshme për çështje të tilla si:

– Politika energjetike, sinergjia ku është e mundur (burimet e rinovueshme të energjisë). Bisedimet mbi nxjerrjen e hidrokarbureve.

– Politikat mjedisore, sinergji, veçanërisht në lidhje me Detin Egje.

– Harmonizimi i politikave për minoritetet në të dyja vendet, në përputhje me standartet e BE-së.

– Marrëveshje për një menaxhim më human të flukseve të refugjatëve dhe emigrantëve.

Në lidhje me çështjen e Qipros, Nikozia tashmë ka humbur një pjesë të madhe të kapitalit diplomatik të krijuar nga anëtarësimi në BE. Është e domosdoshme të diskutohen kushtet për dialog dhe perspektivat për një bashkëjetesë kuptimplotë midis të dyja komuniteteve. Në të kundër do të shkohet drejt ndarjes së përhershme të ishullit, duke konsoliduar kështu efektet e pushtimit të Turqisë në vitin 1974.

Si përfundim, ajo që ne meritojmë si shoqëri demokratike është një diskutim i vazhdueshëm pluralist në kërkim të zgjidhjeve që synojnë përfitimet reciproke. Bashkëpunimi indirekt apo direkt sjell përfitime të shumëfishta për të dyja palët. Dhe përfitimi i ndërsjellë nënkupton një përfitim të dyfishtë; sepse do të bazohet mbi sigurinë dhe stabilitetin e përbashkët në rajon.

Prandaj, zbatimi i politikave të qëndrueshme për të ardhmen, duke siguruar pëlqimin mbi bazën e së drejtës ndërkombëtare në këtë pikë kthese jetike mbi marrëdhëniet greko-turke, është në interesin e Greqisë. Përveç shkatërrimeve të mëdha që shkaktuan tërmetet e fundit

në Turqi, ato mund të dekonstruktojnë retorikën e tensionit të viteve të fundit, siç ndodhi me tërmetet e vitit 1999. Shpresojmë se është krijuar një mundësi për një afrim efektiv.

Shënim:Alexis Heraclides, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe zgjidhjes së konflikteve në Universitetin Panteion të Shkencave Sociale dhe Politike. Andreas Stergiou, profesor në Departamentin e Ekonomisë në Universitetin e Thesalisë. Theodoros Tsikas, ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare. Konstantinos Tsitselikis, profesor për të drejtat e njeriut dhe organizatat ndërkombëtare në Universitetin e Maqedonisë.


Shtuar 1.03.2023 09:32