Luljeta Bozo komenton largimin e Najada Çomos: Unë nuk kam ndërmend të jap dorëheqjen!

Deputetja e zgjedhur e PS, e cila kryesoi listën e Tiranës në 25 prill ka komentuar dorëheqjen e mjekes Najada Çomo nga mandati i deputetes.

Duke folur për “Panorama’, Bozo e cilësoi një vendim personal për të cilin nuk mund të komentonte asgjë.

“Nuk e di, unë dje e mora vesh kur dëgjoja Kryeministrin te fliste në mbledhjen e qeverisë, por unë mendoj se dorëheqja është një vendim personal i gjithkujt. Duhet pyetur i zoti i punës, zonja Çomo për këtë vendim”, tha zonja Bozo.

Ndërkohë, ajo vetë tha se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen nga mandati i deputetes.

“Nuk kam ndërmend të jap dorëheqjen nga mandati i deputetit. Njerëzit kanë shumë dëshirë të merren me thashetheme, mua më shtruan në Sanatorium, më bënë me COVID19, sikur isha duke vdekur etj. Unë shyqyr që nuk kam ‘Facebook’ dhe nuk i marr vesh këto lajme dhe i marr vesh më vonë nga njerëzit dhe shqetësohem më pak. Por, kush nuk ka punë do merret me llafe.

Por meqenëse më pyetët nëse do të jap dorëheqjen, po ju them se unë nuk kam ndërmend të jap dorëheqjen hë për hë. Unë nuk kam filluar punën ende, si mund të jap dorëheqjen?! Të filloj njëherë punën dhe pastaj shohim…”, tha zonja Bozo.


Shtuar 27.08.2021 15:39