Danimarka jep 30 respiratorë hua për Shqipërinë

Vendi ynë do të marrë hua 30 respiratorë nga Danimarka të cilët do të përdoren për trajtimin e pacientëve të infektuar me koronavirus.

Lajmin e ka bërë të ditur ministria e Jashtme daneze, e cila thotë se aktualisht këto respiratorë nuk janë të nevojshëm në Danimarkë.

“Shqipëria merr 30 aparate për frymëmarrje nga Danimarka për përdorim në trajtimin e pacientëve me COVID-19 në javën e 39. Vendimi për huazimin e Shqipërisë u mor nga forca e posaçme ndër-ministrore e themeluar për koordinimin e kontributeve civile në krizat shëndetësore”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Jashtme të Danimarkës.

Respiratorët i janë dhënë hua Shqipërisë për një vit me mundësi për ta zgjatur më shumë përdorimine tyre.

Po ashtu thuhet se një anëtar i sektorit shëndetësor danez do të dërgohet së bashku me respiratorët për të trajnuar shqiptarët se si t’i përdorin ato.


Shtuar 23.09.2020 10:39