Perëndimi po përgatitet për shpërbërjen e Rusisë

Nga Anchal Vohra “Foreign Policy

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Shfaqja e dobët e Rusisë në fushëbetejën ukrainase, dhe besimi në rritje se kërcënimi bërthamor i presidentit rus Vladimir Putin nuk duhet të merret në konsideratë, i ka inkurajuar analistët perëndimorë dhe disidentët rusë që të bëjnë thirrje publike për “dekolonizimin” e vetë Rusisë.

Ata i referohen Federatës së gjerë Ruse, pasuese e Bashkimit Sovjetik që përbëhet nga 83 entitete federale dhe 21 republika jo-sllave. Komisioni për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë, një agjenci e pavarur e qeverisë amerikane me anëtarë nga Dhoma e Përfaqësuesve, Senati dhe departamentet e mbrojtjes, shtetit dhe tregtisë, ka deklaruar se dekolonizimi i Rusisë duhet të jetë një “objektiv moral dhe strategjik”.

Forumi i Kombeve të Lira të Post-Rusisë, i përbërë nga politikanë dhe gazetarë të mërguar nga Rusia, mbajti një takim në fillim të këtij viti në selinë e Parlamentin Evropian në Bruksel, ndërsa këtë muaj do të mbajë 3 aktivitete të tjera në qytete të ndryshme amerikane.

Madje ai ka publikuar një hartë të një Rusie të copëtuar, të ndarë në 41 vende të ndryshme,

në një botë post-Putin, duke supozuar se ai humbet në Ukrainë dhe do të rrëzohet. Analistët perëndimorë po promovojnë gjithnjë e më shumë teorinë se shpërbërja e Rusië është e afërt, dhe se Perëndimi duhet jo vetëm të përgatitet për të menaxhuar çdo përhapje të mundshme të çdo lufte civile që do të pasojë, por edhe të përfitojë nga situata, duke joshur kombet pasardhëse të pasura me burime natyrore.

Ata argumentojnë se kur Bashkimi Sovjetik u shemb në vitin 1991, Perëndimi ishte miop dhe nuk arriti të përfitonte plotësisht nga mundësia e rëndësishme. Tani ai duhet të hartojë një strategji të re për t’i dhënë fund njëherë e mirë kërcënimit rus, në vend se t’i ofrojë Putinit një rrugëdalje nga situata u ndodhet aktualisht.

Por shumë të tjerë e shohin shpërbërjen e Rusisë si një kërcënim më serioz për paqen dhe sigurinë globale dhe paralajmërojnë mbi rreziqet e përçmimit të një armiku që edhe kur është më i dobët se Perëndimi ushtarakisht dhe ekonomikisht, zotëron ende gati 6000 bomba bërthamore, një milici të armatosur dhe burime të mëdha të bllokuara natyrore në një peizazh shumë pak të populluar në kufi me Kinën.

Janusz Bugajski, bashkëpunëtor i lartë në “Jamestown Foundation”, ka shkruar së fundmi një libër me titull “Shteti i dështuar: Një udhëzues për shpërbërjen e Rusisë”. Ai  argumenton në të se sanksionet perëndimore e kanë dërrmuar ekonominë ruse, dhe aktualisht ka një “shqetësim në shumë rajone për buxhetet e tyre që po pakësohen”.

Ai shprehet kundër dhënies së garancive të sigurisë për Putinin. Analistë të tjerët që pajtohen me këtë mendim, thonë se humbja e Putinit në Ukrainë do të shkatërrojë kultin e tij si një lider i fortë dhe do ta ekspozojë atë si një udhëheqës të dobët. Sapo ta kuptojnë se Moska nuk është aq e pasur sa të mbushë xhepat e tyre, dhe as mjaftueshëm e fortë ushtarakisht për të shtypur disidencën e tyre, elitat në republikat jo-sllave do të nisin të rebelohen.

Sergej Sumlenny, drejtor i Qendrës Evropiane të Iniciativës për Rezistencën në Berlin, ish-kryeredaktor në transmetuesin e biznesit rus RBC-TV, shprehet se Putin i ka kontrolluar kombet e ndryshme duke korruptuar elitën e tyre, dhe duke nxitur frikën e një konflikti të përgjakshëm si ai në Çeçeni.

Në vitin 1991, pasi u shpërbë Bashkimi Sovjetik, 14 vende shpallën sovranitetin. Fushata e përgjakshme në Çeçeni disa vite më vonë ishte projektuar për të dekurajuar dhe shtypur lëvizjet e tjera për pavarësi, në një kohë që politikat e centralizuara të Putinit i vendosën republikat e supozuara autonome nën kontrollin e rreptë të Moskës.

Por lufta në Ukrainë e ka nxjerrë në pah Putinin si një njeri të dobët, që nuk është i denjë për imazhin që ai kishte kultivuar, thotë Sumlenny. “Ai shihej në Rusi si një lider që mund të mposhtte këdo dhe Ukraina shihej si aq e dobët sa do të mposhtej pa asnjë përpjekje serioze. Por tani, të gjithë, përfshirë elitën në pushtet në republika dhe rajone, mund të shohin se Moska nuk ka as para dhe as një ushtri të fortë”- thotë ai.

Prej vitesh ka pasur jo pak pakënaqësie në disa pjesë të Federatës Ruse. Tetë mijë km larg Moskës, mijëra njerëz në rajonin e Khabarovsk në Lindjen e Largët protestuan për muaj të tërë në vitin 2020 kundër arrestimit të guvernatorit të tyre me akuza të rreme. Po atë vit, protestuesit në Republikën e Bashkortostanit protestuan kundër minierave të gurit gëlqeror që ndodhen në ato që komuniteti vendas i konsideron si kodra të shenjta.

Gjatë viteve 2018-2019, njerëzit në rajonin Arkhangelsk, 1125 km në veri të Moskës, bllokuan rrugët dhe ngritën çadra për ta penguarr qeverinë ruse të përdorte territorin e tyre si një vend depozitimi për mbeturinat e Moskës.

Në Republikën e Tatarstanit, një lëvizje nacionaliste është forcuar ndjeshëm për shkak të imponimit të gjuhës ruse. Ajo po pengohet të kalojë në alfabetin latin nga shkrimi cirilik, ndërsa tatarët po luftojnë për më shumë autonomi kulturore. Bashkortostani ka protestuar gjithashtu për të mbrojtur gjuhën e tij vendase dhe ka përdorur slogane të tilla si “Pa gjuhë nuk ka komb”.

Kohët e fundit, ndërsa Putini njoftoi mobilizim të pjesshëm dhe rekrutoi një numër disproporcionalisht të madh rekrutësh nga rajonet më të varfra, pati protesta në pjesë të ndryshme të vendit. Fondacioni “Free Buryatia” është krijuar enkas për të ndihmuar rezervistët të shmangin rekrutimin në Republikën Buryatia.

Qindra gra dolën në rrugët e qytetin Yakutsk, në Republikën Sakha, duke brohoritur “Lërini fëmijët tanë të jetojnë!”. Disa analistë besojnë se protestat aktuale kundër mobilizimit, do të veprojnë si një unifikues dhe do të nxisin lëvizjet për pavarësi në të gjithë republikat ruse. Mund të jetë kështu, por deri më tani kjo duket se mbështetet më shumë tek shpresa, sesa
tek të dhënat konkrete apo provat e lëvizjeve të forta kundër Moskës. Nga ana tjetër disa ekspertët theksojnë se ndonëse këto republika duan vërtet të largohen nga federate ruse, nuk ka asnjë garanci se ajo që mbetet do të vijojë të jetë demokratike ose miqësore me Perëndimin.

Ekspertët druhen se shumë rajone në Lindjen e Largët Ruse po anojnë tashmë drejt Kinës. Pastaj është shqetësimi i luftërave civile dhe diktatorëve rajonalë që luftojnë për armët bërthamore ruse. Mikhail Khodorkovsky, ish-kreu i “Yukos Oil Company” dhe më pas i burgosur politik në Rusi, e hedh poshtë tezën e një shpërbërje paqësore të Rusisë dhe paralajmëroi për shpërthimin e luftërave rajonale.

“Së pari, Rusia është e lidhur në një mekanizëm të vetëm transporti dhe ekonomik. Shumica e rajoneve të pasura me burime nuk kanë qasje në det. Dhe kjo krijon një konflikt të mundshëm, midis rajoneve që kanë më pak njerëz, por burime të mëdha dhe atyre që kanë një popullsi të madhe dhe mënyra të transportit të burimeve”- thekson ai.

Sipas tij këto rajone do të luftojnë për kufijtë dhe do të përpiqen të marrin kontrollin e armëve bërthamore, gjë që do të jetë një makth për Perëndimin. Por Joana Deus Pereira, studiuese e lartë në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara në Evropë, thotë se “shpërbërja e Rusisë nuk ka gjasa të ndodhë.

Sipas saj pas rënies së Bashkimit Sovjetik, rusëve iu tha se do të ishin më afër Evropës, por kjo gjë nuk ndodhi dhe e lëndoi krenarinë ruse. Sipas Pereira, republikat dhe rajonet josllave nuk duan realisht shpërbërjen e Rusisë, por vetëm “njohjen e rajonit të tyre, flamurin e tyre dhe më shumë pavarësi kulturore brenda Federatës Ruse”. /albeu.com


Shtuar 19.04.2023 11:58

Tags: