7 700 të vdekur, mjerim dhe kaos kudo: Gaza është kthyer në një gërmadhë, çfarë bombash po përdor tani Izraeli

Të dhënat më të fundit tregojnë se numri i të vdekurve ka arritur në  mbi 7 700 në Gaza që prej 7 tetorit, ndërsa mijëra të tjerë janë të humbur dhe dyshohet se trupat janë nën rrënojat e godinave të shembura nga bombardimet.

Sulmet ajrore vazhdojnë të jenë pjesa kryesore e fushatës ushtarake të Izraelit në Gaza dhe nuk ka asnjë shenjë që kjo të ndryshojë.

Gjatë natës, ushtria izraelite tha se rreth 100 avionë “shkatërruan qindra objektiva” në Gaza.

Forcat Ajrore izraelite lëshojnë postime të shpeshta në mediat sociale që tregojnë avionë të përdorur në këtë luftë, kryesisht F-16 të prodhuar nga SHBA; F-15C Eagles dhe F-15E Strike Eagles – të gjithë të pajisur me një shumëllojshmëri armësh.

Këto përfshijnë bombat JDAM të cilat drejtohen me GPS. Këto bomba kanë një saktësi deri në disa metra.
Në përgjithësi, këto lloje armësh mund të ngarkohen paraprakisht me koordinatat e objektivit dhe çdo JDAM në avion është në gjendje të godasë një objektiv të ndryshëm. Pra, në një mision, katër JDAM nga një avion mund të godasin katër vende të ndryshme. Forma të tjera të armëve inteligjente ka të ngjarë të përdoren gjithashtu.

Ushtria izraelite nuk thotë kurrë se çfarë armësh specifike përdoren për ndonjë objektiv të caktuar, por ka të ngjarë që armët në avion që shohim në fotot dhe videot e publikuara nga ushtria izraelite janë armët që ata përdorin në sulme.

Si u zgjua Gaza sot

Mëngjesi i sotëm zbuloi shkallën e tragjedisë me blloqe pallatesh të shkatërruara dhe me një numër të madh viktimash që pritet të shtohet nga ora në orë për shkak të bombardimeve të jashtëzakonshme që janë kryer.

Gazetari i BBC në Gaza, Rushdi Abualouf raporton: Pati një bombardim të madh në veri të Rripit të Gazës në një shkallë që nuk e kemi parë kurrë më parë.

Flakët e mëdha mund të shiheshin duke u ngritur në qiell – dukej se ata po përdornin lloje të ndryshme bombash. Në spitalin këtu pranë nesh shoferët e ambulancës më thanë se nuk mund të komunikonin me askënd, kështu që ata thjesht po lëviznin në drejtim të shpërthimeve.

Ka pasur panik kudo, madje edhe këtu në Khan Younis, ku bombardimet ishin më të pakta, pasi njerëzit përpiqen të kontaktojnë anëtarët e familjes në zona të tjera për të kontrolluar se janë të sigurt, por telefonat janë ndërprerë. Është kaos total.

Gazetari Jeremy Boëen gjithashtu theksion se ushtria e Izraelit gjendet brenda Gazas dhe po shkon drejt jugut.

“Ajo që duket se po ndodh sot në mëngjes është se forcat izraelite po përqendrohen në zonën veriore të Rripit të Gazës, në Beit Hanoun, dhe po zbresin pak më në jug prej andej.

Ne kemi parë nga videot nga Gaza mëngjesin e sotëm dhe nga ajo që mund të shihet përgjatë zonës kufitare mbrëmë, dëshmi të një bombardimi shumë, shumë të madh.

Ndërprerja e komunikimit do të thotë se është shumë e vështirë të zbulosh saktësisht se çfarë po ndodh – për shembull, unë kam folur me OKB-në këtë mëngjes, të cilët kanë qenë në gjendje të komunikojnë me zyrën e tyre kryesore në jug përmes një telefoni satelitor.

Por, meqenëse nuk ka komunikim të brendshëm, ata nuk mund të lidhen me zyrat e tyre të zonës, të cilat kujdesen për operacionet e tyre të ndihmës”.

Izraeli: Po punojmë për gjetjen e pengjeve

Këtu janë disa rreshta të tjerë nga deklarata e bërë nga zëdhënësi ushtarak izraelit Daniel Hagari.

Duke folur për qëllimet ushtarake të Izraelit, ai tha se IDF “do të vazhdojë të bëjë një përpjekje të përbashkët për të ruajtur sigurinë e forcave tona, duke përdorur zjarr të fortë nga ajri, por kjo është lufta”.

“Ne po punojmë drejt qëllimeve që i kemi vendosur vetes dhe që janë përcaktuar për ne. Shpërbërja e Hamasit, siguria kufitare dhe një përpjekje kombëtare për të kthyer të rrëmbyerit.”

Për fatin e pengjeve, ai tha se “kthimi i të rrëmbyerve në shtëpi është një përpjekje supreme kombëtare. Dhe të gjitha aktivitetet tona, operacionale, inteligjente, kanë për qëllim realizimin e qëllimit”.

Ndërprerje totale e komunikimit

Pothuajse i gjithë komunikimi me njerëzit në Gaza është bërë i pamundur pasi shërbimet telefonike dhe interneti janë ndërprerë sipas BBC.

Korrespondenti i BBC për Lindjen e Mesme Tom Bateman postoi në X se njerëzit në Gaza nuk mund të flasin me botën e jashtme “ose me sa duket edhe me njëri-tjetrin”.

Postimi i tij u shoqërua me një imazh të një mesazhi WhatsApp që ai i kishte dërguar dikujt në enklavën e rrethuar. Shumë nga gazetarët e tjerër të BBC thonë gjithashtu se asnjë nga mesazhet e tyre për njerëzit në Gaza nuk po shkon.

 

 


Shtuar 28.10.2023 13:38