Pas sherrit kërcënoi gruan me mjet prerës, policia parandalon përshkallëzimin e konfliktit në Fier dhe arreston 54 vjeçarin

Një 54-vjeçar me iniciale M.B. është arrestuar nga policia pasi ka kërcënuar me thikë gruan e tij.

Policia bën me dije se pas sherrit në banesë, ai ka marrë thikën duke iu drejtuar asaj me kërcënime.

Pas ndërhyrjes së policisë, ai është vënë në pranga pasi u kap me thikë në dorë.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, mbrëmjen e djeshme, pasi kanë marrë njoftim se në fshatin Radostinë Fasko, konflikti midis shtetasit M. B. dhe bashkëshortes së tij kishte agravuar, menjëherë kanë organizuar punën dhe falë ndërhyrjes së menjëhershme, kanë parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit që mund të kishte pasoja të rënda për jetën e bashkëshortes së shtetasit të arrestuar.

Si rezultat i veprimeve të shpejta, profesionale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier bënë të mundur arrestimin në flagrancë të shtetasit M. B., 54 vjeç, banues në Radostinë Fasko, Fier. 54-vjeçari u kap me mjet prerës (thikë) në dorë, duke kanosur për jetën, bashkëshorten e tij.