Për herë të parë në Evropë, miratohet ligji për “lejen menstruale”

Për herë të parë një vend i Bashkimit Evropian ka miratuar ligjin për “lejen menstruale”. Bëhet fjalë për Spanjën.

Me këtë ligj, qeveria spanjolle synon të thyejë tabutë.

“Është një ditë historike,” shkruan në Twitter Ministrja për Barazi, Irene Montero.

Ligji u miratua me 185 vota pro, 154 kundër dhe 3 abstenime. Sakaq, “leja menstruale” shkaktoi rezerva te socialistët dhe u kritikua edhe nga sindikata e UGT-së.

Kjo sindikatë e lidhur me socialistët, një nga dy më të mëdhatë në vend, ka shprehur kryesisht shqetësimin se ligji mund të veprojë si frenim për punësimin e grave.

Nga ana e saj, Partia Popullore Konservatore (PP), partia më e madhe opozitare, paralajmëroi rrezikun e “margjinalizimit” dhe “stigmatizimit” dhe të “pasojave të mundshme negative në tregun e punës” për gratë.

Spanja bëhet vendi i parë në Evropë dhe një nga të paktët në botë që e përfshin këtë masë në legjislacion.

Në mbarë botën, leja menstruale aktualisht ofrohet vetëm në një numër të vogël vendesh, duke përfshirë Japoninë, Tajvanin, Indonezinë, Korenë e Jugut dhe Zambinë.

Projektligji do të ulë gjithashtu TVSH-në për produktet e higjienës femërore në dyqane dhe do t’i bëjë produktet e periudhës të disponueshme falas në shkolla dhe qendra arsimore.

./Albeu.com/