India bëhet gati për misionin historik në Hënë

India do ta nisë misionin e saj të tretë drejt Hënës, në tentim për t’u bërë vendi i parë që arrin pranë polit jugor të Hënës, i cili nuk është eksploruar shumë.

Anija Chandrayaan-3 do të ngrihet në orën 14:35, sipas kohës lokale, të 13 korrikut – që në Kosovë i bie në orën 10:05 – nga qendra hapësinore Sriharikota. Ajo do të arrijë në Hënë më 23 dhe 24 gusht, thanë zyrtarët e agjencisë hapësinore.

Nëse do të ketë sukses, India do të jetë vetëm vendi i katërt që do të arrijë një zbarkim të kontrolluar në Hënë, pas SHBA-së, ish-Bashkimit Sovjetik dhe Kinës.

Si iniciativë e tretë në programin e eksplorimit hënor të Indisë, Chandrayaan-3 pritet të vazhdojnë sukseset e misioneve të mëparshme në Hënë.

Ky mision vjen 13 vjet pas misionit të parë të Indisë në Hënë në vitin 2008, që kreu “kërkimin e parë dhe më të detajuar të ujit në sipërfaqen hënore dhe zbuloi se Hëna ka një atmosferë gjatë ditës”, tha Mylswamy Annadurai, drejtori i projektit të Chandrayaan-1.

Chandrayaan-2 ishte nisur në korrik të vitit 2019, por ishte vetëm pjesërisht i suksesshëm. Pjesë të tij vazhdojnë të qarkullojnë dhe studiojnë Hënën edhe sot. Megjithatë, anija nuk kishte arritur ta kontrollonte uljen në Hënë dhe ishte rrëzuar gjatë zbarkimit për shkak të “një defekti të minutës së fundit në sistemin e frenimit”, shpjegoi Annadurai.

Shefi i Organizatës Indiane të Kërkimit Hapësinor (Isro), Sreedhara Panicker Somanath, ka thënë se ata kanë studiuar me kujdes të dhënat nga përplasja e fundit dhe kanë kryer ushtrime simulimi për t’i rregulluar defektet. Chandrayaan-3, që peshon 3.900 kilogramë dhe kushton 6.1 miliardë rupi (të barasvlershme me 75 milionë dollarë) ka “të njëjtat synime” si misioni paraprak: të sigurojë një ulje të kontrolluar në sipërfaqen e Hënës, shtoi ai./REL/