Zgjedhjet në Mal të Zi, pjesëmarrja e deritanishme 16.3%

Mali i Zi po mban sot zgjedhjet parlamentare tw parakohshme.

Sipas të dhënave të Qendrës për Monitorim dhe Kërkim (CeMI), deri në orën 11:00 kanë votuar 16.3% e votuesve të regjistruar.

Sipas të dhënave zyrtare të institucioneve të Malit të Zi të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 542.468 qytetarë.

Në garë marrin pjesë 15 lista zgjedhore të koalicioneve dhe partive, të konfirmuara nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Mal të Zi.

Partitë dhe koalicionet që po marrin pjesë në këto zgjedhje kanë premtuar jetë më të mirë, paga dhe pensione më të larta, blerje të favorshme të banesave dhe rritje të përfitimeve sociale.

Premtime të tilla kanë dominuar të gjithë fushatën elektorale.

Pse janë të rëndësishme këto zgjedhje?

Këto zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare mund t’i japin fund një krize politike gati tri vjeçare në Mal të Zi ku dy qeveri u rrëzuan përmes mocioneve të mosbesimit.

Rezultati i zgjedhjeve mund të prodhojë një qeveri funksionale të cilën Mali i Zi nuk e ka thuajse që nga prilli i vitit 2020, kur Partia Demokratike e Socialistëve, asokohe e udhëhequr nga Millo Gjukanoviç, humbi në zgjedhje.

Media të ndryshme ndërkombëtare dhe analistët politikë ditëve të fundit thanë se këto zgjedhje do të jenë vendimtare edhe për të ardhmen e Malit të Zi pasi votuesit do të kenë mundësinë të vendosin për të përkrahur partitë dhe koalicionet, disa përkrahëse të Perëndimit, të tjerat përkrahëse të Serbisë si dhe të tilla mbështetëse të Rusisë.

Rezultati i këtyre zgjedhjeve do të tregojë nëse Mali i Zi, si një vend i vogël i Ballkanit Perëndimor, anëtarë i NATO-s, do të ofrohet më shumë me Bashkimin Evropian dhe të avancojë në proceset integruese.

Këto janë zgjedhjet e para parlamentare në 30 vitet e fundit në të cilat nuk merr pjesë ish-presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviç, i cili humbi në zgjedhjet presidenciale që u mbajtën në muajin prill të këtij viti.

Paraprakisht, më 16 mars, tre ditë para se të zhvillohej raundi i parë të zgjedhjeve presidenciale, Gjukanoviç shpërndau Parlamentin dhe caktoi zgjedhje të parakohshme parlamentare, duke përmendur trazirat e vazhdueshme brenda qeverisë dhe mungesën e përparimit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Zgjedhjet e 11 qershorit, janë zgjedhjet e 12-ta parlamentare që nga futja e sistemit shumëpartiak dhe të gjashtat që nga pavarësimi i Malit të Zi në vitin 2006.

Mali i Zi është anëtar i NATO-s që nga viti 2017 dhe kandidat për anëtarësim në BE që nga fundi i vitit 2012.

Mali i Zi hapi të 33 kapitujt e negociatave, i fundit në qershor 2020 dhe mbylli tre.


Shtuar 11.06.2023 12:08