Vdiq në skenë duke interpretuar, përkujtojmë në 85-vjetorin e lindjes artistin e shquar, Aleko Prodani

Thonë se ëndrra e çdo aktori është të vdesë në skenë. Nëse kjo është e vërtetë, mund të thuhet Aleko Prodani e realizoi këtë ëndërr. Ai ndërroi jetë në skenën e Teatrit “A. Z. Çajupi” të Korçës më 2 maj 2006, duke interpretuar rolin e Aldos ne komedine Tre burra per nje grua te Dario Fo-se.

E nëse fati i tij nuk do ishte i tillë, sot Prodani do të festonte ditëlindejn e 85-të.

“Bëmë gjithçka për ta zgjuar nga gjumi i thellë i atij çasti”, tregon Petrika Riza, por me sa duket goditja kishte qenë e fuqishme. Nuk na la asnjë mundësi për t’i dhënë ndihmën mjekësore.

Mbaroi në skenë. E çuam në spital, por gjithçka kishte marrë fund. Mjekët konfirmuan vdekjen e tij. Dhe e gjitha kjo ndodhi në provat gjenerale, si për të treguar se Aleko Prodani ishte gjeneral i skenës.

Në vitin 1961 ai u bë bashkëthemelues i Estradës së Ushtarit, ku edhe u formua si aktor, gjatë një stazhi gjashtë vjeçar. Më pas u emërua aktor në Estradën e Korçës, ku u bë menjëherë margaritari i kurorës. Për shkak të “biografisë së keqe” e largojnë nga Estrada, pas Plenumit IV dhe e dërgojnë për “riedukim në prodhim”. Por burokratët komunistë u bënë shpejt të vetëdijshëm se zbrazëtia që ai kishte lënë pas vetes në Estradën e Korçës, nuk mund të mbushej kurrsesi. Pas rikthimit në Estradë, fillon për të një periudhë e artë. Interpreton në rreth 60 premiera të Estradës së Korçës, ku shquhet për aftësi të rralla në të gjitha zhanret.

Për 15 vjet (1980 – 1995) bëhet njeriu kyç i kësaj trupe. Është autor i libreteve, regjisor dhe aktor kryesor në 30 premiera, e dhjetra skeçe e komedi me një akt që shfaqen edhe në TVSH në programet e Vitit të Ri. Nën drejtimin e Prodanit, në vitet ’80, Estrada e Korçës bëhet më e mira në vend.