“Shqipëria po marshon drejt Tiranës”, Berisha para protestës: Rroftë Revolucioni Demokratik

Teksa na ndajnë vetëm tre orë nga nisja e protestës së thirrur nga opozita, lideri demokrat Sali Berisha shkruan në Facebook se “Shqipëria po marshon drejt Tiranës.”

Berisha: Shqipëria po marshon drejt Tiranës! Tirana vërshon sot në rrugët dhe sheshet e saj! Rroftë Revolucioni Demokratik! #sb

Protesta është parashikuar në nisë në  orën 12:00 në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.

Mbështetës të Partisë Demokratike nga rrethet pritet t’i bashkohen tubimit.

BERATI
Edhe sot demokratët beratas i bashkohen protestës së madhe të opozitës së bashkuar, që do të organizohet në Tiranë. Rreth 1000 protestues nga opozita e qarkut të Beratit janë nisur drejt Tiranës, për t’ju bashkuar protestës së sotme të opozitës. Nisja e demokratëve të Beratit është organizuar në aksin nacional Berat-Dimal, në Moravë, ku rreth 500 demokratë beratas janë nisur drejt Tiranës me mjete private, ndërkohë që dhjetëra të tjerë janë nisur që prej mbrëmjes së djeshme, nga frika se mos policia u ndalonte hyrjen në kryeqytet.

Vetë drejtuesit e 5 degëve të Partisë Demokratike në qarkun e Beratit konfirmojnë se protestuesit janë nisur në mënyrë të paorganizuar, me mjetet e tyre private pasi autobusët e linjës së Tiranës nuk kanë pranuar të nisen me protestues sepse janë njoftuar nga terminalët e linjave se nuk do të pajiseshin me lejen e udhëtimit. Nga dega e PD-së Kuçovë janë nisur drejt protestës në Tiranë 150 demokratë, nga Dimali 80 demokratë, nga Poliçani 65 dhe nga Skrapari 50 demokratë. Kryetari i degës së PD-së Berat, Shyqyri Dura ka deklaruar se demokratët beratas po i drejtohen revoltës popullore. Dura ka deklaruar se qytetarët beratas janë nisur në një mision, nga i cili nuk do të tërhiqen derisa Edi Rama të përgjigjet para ligjit.

KORÇA
Protestës së opozitës sot do i bashkohen edhe qytetarë nga Korça. Mësohet se nga ky qytet janë nisur rreth 400 persona me 55 mjete te vogla dhe 3 autobusë. Ndërkohë, nga Pogradeci rreth 150 qytetarë janë nisur me 35 automjete. Po ashtu nga Devolli do të marrin pjesë 250 qyetarë, të cilët janë nisur me makina private.

KRUJA
Rreth 1000 qytetarë nga rrethi i Krujës i bashkohen sot protestës së opozitës.
Nisja drejt Tiranës do të bëhet në mënyrë private me automjete dhe autobusë të linjës.
Sipas Agron Lokes kandidat i PD-së, për bashkinë e Krujës, nisja ka filluar që në orët e para të mëngjesit dhe qytetarët nuk kanë hasur pengesa deri me tani.

FIERI
Mbi 800 anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Demokratike të degës së Fierit do t’i bashkohen protestës së sotme të organizuar nga opozita. Sipas kryetarit të Partisë Demokratike dega Fier, Rrapi Gjika drejt Tiranës janë nisur me automjetet e tyre private dhjetra demokratë, ku disa prej tyre kanë ardhur që mbrëmë, ndërsa të tjerë sot.

ELBASANI
Protestës së opozitës do i bashkohen edhe simpatizantë nga Elbasani. Nisja e tyre do të bëhet me autobusë nga selia blu e këtij qyteti, po ashtu dhe me makina private.

SARANDA
Burime nga selia e PD të Sarandës bëjnë me dije se rreth 100 demokratë të Sarandës, Konispolit dhe Finiqit, që do t’i bashkëngjiten sot protestës të paralajmëruar, që organizohet në Tiranë. Nisja e tyre ka filluar që të premten pasdite me makina të vogla. Ndërkohë që një pjesë për shkak të largësisë, është nisur që në orën 04.00 të mëngjesit të së shtunës. Ndërkohë, nga Delvina janë nisur rreth 50 persona.  /Albeu.com/


Shtuar 11.02.2023 09:22