Raporti i Ramës me zyrtarin e FBI-së, Berisha: Kryeministri ka kryer një nga aktet më të rënda me SHBA-të

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka komentuar arrestimin e zyrtarit të lartë të FBI-së Jork Charles McGoniga në Nju Jork, i cili sipas një raporti rezulton të jetë takuar edhe me kryeministrin Edi Rama.

Në lidhje me këtë Berisha tha se Rama ka kryer një nga aktet më të rënda në historinë 100-vjeçare të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ai  ka kryer një nga aktet më të rënda në historinë 100-vjeccare të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Unë nuk them që Edi Rama i dobësoi karakterin moral një zyrtari që kishte një besim aq të lartë në vendin e tij, por kryeministri i një vendi partner nuk mundej kurrë të shfrytëzonte për qëllimet e veta as dobësinë më të vogël, sikur të kishim të bënim me fuqinë armike dhe jo partnerin kryesor strategjik. Edi Rama duhet të ikë sa më parë. Drejtësia do të merret nga të dyja vendet por ana morale është krejtësisht e rëndë. Ky rast tregon përdorimin e korrupsionit ndërkombëtar kundër opozitës shqiptare. Tregon se Tirana është një qendër e korrupsionit të njerëzve. Tregon se Edi Rama nuk njeh asnjë parim për interesat e pushtetit të tij. McGonigal mund t’i shkojë deri në 80 vite dënimi, asnjë vit më pak nuk meriton Edi Rama. Nuk i bën kurrë këto veprime të tmerrshme kryeministri i një vendi partner. Edi Rama duhet të zbërthehet, do të ketë komision hetimor parlamentar që do t’i shkohet deri në fund kësaj çështjeje.  Njeriu i inteligjencës i vendit më të fuqishëm në botë u pagua nga Kryeministri i Shqipërisë. Rama nuk mund të rrijë më në qeverisje. Ai e ka vendin atje ku është Charles McGonical”, tha Berisha.

Për çfarë akuzohet ish-zyrtari i FBI-së

Një nga zyrtarët më të lartë të FBI-së McGonigal përballet me dy akuza, një në Nju Jork dhe një në Uashington D.C., ku në rastin e parë akuzohet se ka ndihmuar Oleg Deripaska, një oligark rus nën sanksione, me qëllim që të hiqet nga lista e biznesmenëve të sanksionuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara.

Në rastin e dytë, në akuzën në D.C., McGonigal akuzohet se ka përfituar së paku 225 mijë dollarë si dhe udhëtime me shpenzime të mbuluara nga dy shqiptarë.

I pari referohet në aktakuzë si Personi A, një shqiptar i natyralizuar amerikan me banim në Nju Xhersi, i cili vihet në dukje se ka qenë punonjës i shërbimeve sekrete shqiptare dekada më parë.
Personi në fjalë i ka dhënë paratë McGonigalit, mes të tjerash që ky i fundit të hapë një hetim në SHBA në lidhje me një lobues që ka lobuar “për një parti të ndryshme me atë të kryeministrit shqiptar”.

Në akuzën e ngritur në Uashington flitet edhe për takimin e McGonigal me një biznesmen dhe politikan shqiptar.

“Në shtator 2017, në Shqipëri, i pandehuri McGonigal u prezantua nga Personi A me një biznesmen dhe politikan shqiptar, i cili i tha të pandehurit McGonigal se donte që dikush të hetonte një komplot të dyshuar për të vrarë biznesmenin dhe politikanin shqiptar”, thuhet në pikën e 23 të akuzës së ngritur në Uashington.

Sipas aktakuzës, zyrtari i FBI ka udhëtuar disa herë drejt Shqipërisë dhe është takuar me Ramën në disa prej këtyre vizitave. Aktakuza në D.C. vëren se “as FBI dhe as McGonigal nuk pagoi për hotel ndërsa gjendej në Shqipëri.”/albeu.com/


Shtuar 25.01.2023 11:58

Tags: