Në makinë pa rrip sigurimi, gjobë për kryeministrin britanik

Kryeministri britanik, Rishi Sunak ështe gjobitur për shkak se është filmuar duke mos vendosur rripin e sigurimit teksa ishte pasagjer në një makinë që ishte në lëvizje, raporton BBC.

Sunak bëri një video për llogaritë e tij në rrjetet sociale teksa ishte në makinën e tij, por vendosi që në video të dilte pa rrip sigurimi.

Kjo nuk ka kaluar po u vënë re nga qytetarët të cilët menjëherë kanë reaguar, duke detyruar Sunak të kërkoi ndjesë dhe të pranoi se ka vepruar gabim.

Zëdhënësi i kryeministrit tha se ai kishte bërë një “gabim” duke e hequr rripin për pak sekonda për të filmuar një video në mediat sociale gjatë një udhëtimi në veri të Anglisë.

Sunak “pranon plotësisht se ky ishte një gabim dhe kërkon falje”, u tha gazetarëve zëdhënësi i tij.

Zëdhënësi shtoi se kryeministri “beson se të gjithë duhet të vendosin rripin e sigurimit”.

Videoja, për të promovuar politikën e fundit të qeverisë për “nivelimin e shpenzimeve”, u postua më herët në llogarinë e Sunak në Instagram.

Në klipin, i cili zgjat rreth një minutë, Sunak shihet duke iu drejtuar kamerës pa vendosur rripin e sigurimit ndërsa makina është në lëvizje.

Nga ana tjetër, ky gabim i Sunak u shfrytëzua nga laburistët duke thënë se: “Rishi Sunak nuk di të menaxhojë rripin e sigurimit, kartën e tij të debitit, shërbimin e trenit apo ekonominë në këtë vend”.

Pasagjerët e kapur duke mos vendosur rripin e sigurimit, mund të gjobiten deri në 500 euro nëse çështja shkon në gjykatë.

/albeu.com/