Babëzia e privatit nuk ka fund! Sekuestrohen qindra shezlonge dhe çadra që kishin zaptuar plazhet publike nga Durrësi në Sarandë

Policia e Shtetit, me qëllim lirimin e hapësirave për plazh, ka sekuestruar 106 shezlongë dhe 123 çadra që ishin vënë pa autorizim, duke filluar nga Durrësi në Sarandë.

Materialet procedurale i kaluan prokurorive përkatëse, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Pushtimi i tokës” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Njoftimi i policisë:

Vijon operacioni policor i koduar “Plazh i lirë”, me qëllim lirimin e hapësirave në plazhe, që janë zënë në kundërshtim me ligjin.

Kjo fazë e operacionit u shtri në plazhet e Durrësit dhe të Sarandës, dhe rezultoi me sekuestrimin e 106 shezlongëve dhe 123 çadrave që ishin vënë pa autorizim.

Procedohen penalisht 2 administratorët që nuk deklaronin të ardhurat që gjeneronin nga ky aktivitet.

Në plazhin “Apollonia”, në Durrës, u sekuestruan 106 shezlongë dhe 53 çadra që ishin vënë pa autorizim. Për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin M. M., 31 vjeç, banues në Durrës.

Në plazhin e Çentralit, në Sarandë, u sekuestruan 70 çadra që ishin vënë pa autorizim. Për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin J. Ç., 24 vjeç , banues në Sarandë.

Materialet procedurale i kaluan prokurorive përkatëse, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Pushtimi i tokës” dhe “Fshehja e të ardhurave”.

Kontrollet dhe verifikimet në kuadër të operacionit “Plazh i lirë”, vijojnë.


Shtuar 8.08.2023 14:26