Zgjedhjet e jashtëzakonshme më 12 dhjetor
Pëlqej
Jakup Krasniqi
Ushtruesi i detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, duke u bazuar në kompetencat kushtetuese, ka shpërbërë parlamentin dhe ka caktuar 12 dhjetorin si datë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.

Ky vendim është marrë një orë pasi Kuvendi i Republikës së Kosovës miratoi mocionin e mosbesimit të qeverisë së drejtuar nga kryeministri Hashim Thaci.

Me këtë vendim ngarkohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Republikës së Kosovës që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, në përputhje me këtë vendim dhe me ligjin në fuqi.

Po kështu, me këtë vendim shfuqizohet vendimi i datës 15 tetor 2010, për zgjedhjet të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të parapara për 13 shkurt 2011.

Ngritja e mocionit të mosbesimit është iniciuar nga partia Aleanca Kosova e Re (AKR), ndërkaq një strategji e tillë për të shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme është përkrahur edhe nga vet qeveria në pushtet, Partia Demokratike e Kosovës.

Tensionimi i situatës politike në vend dhe kriza institucionale disa javësh ka ardhur si rrjedhojë e tërheqjes së Lidhjes Demokratike të Kosovës nga koalicioni qeveritar me Partinë Demokratike. Megjithëse, LDK mohon të jetë shkaktare e krizës institucionale, ish partneri në koalicion PDK e akuzon këtë parti se është shkaktare e krizës në vend për interesa të ngushta partiake e personale.
Shtuar më 02/11/2010, ora 19:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori