Akuza për fshehje të pasurisë dhe deklarim të rremë, arrest me burg për ish-zyrtaren Alda Klosi

Ish-zyrtarja e Kryeministrisë, Alda Klosi, është lënë në arrest në burg.

Ish-zyrtarja e kryeministrisë ndodhet e shtruar në spital, pasi vetëm disa orë pas arrestimit (4 shkurt 2023) shfaqi probleme shëndetësore.

Pranë ambienteve të spitalit “Nënë Tereza” mbërritën sot gjyqtari Arben Micko dhe prokurorja e çështjes, Mirela Zavalani.

Mësohet se Klosi ka kundërshtuar akuzat dhe kërkon të rrëzojë dëshminë e pastrueses Rozeta Dobi.

Nga ana tjetër, Rozeta Dobi për rreth katër orë ditën e djeshme është pyetur në ambiente e komisariatit dhe mësohet se ka shfajësuar djalin e saj duke thënë se nuk ka asnjë lidhje me këtë ngjarje.

Mbi ish-zyrtaren Alda Klosi rëndojnë tre akuza, pastrim parash, fshehje të pasurisë dhe deklarim i rremë në hetuesi.

Thellimi i hetimeve nga policia dhe prokuroria e kryeqytetit si edhe pyetja për disa orë e sanitares Rozeta Dobi zbuloi se gjithçka ka qenë inskenim dhe paratë e gjetura në banesë nuk ishin vjedhur por ish zyrtarja e lartë ia kishte dhënë për t’i fshehur.

Në dëshminë e saj Rozeta Dobi ka thënë se ka parë shumë para të cilat vinin me kuti dhe ishin të fshehura në disa shtëpi të ish-zyrtares Klosi. Dobi implikon dhe persona të tjerë që kishin kontakt me zyrtaren përfshi dhe ish ministrin Arben Ahmetajn me të cilin sipas saj Alda Klosi kishte raport personal.

/albeu.com/


Shtuar 7.02.2023 13:19