Zbardhen 9 kushtet që Gjermania i ka vendosur Shqipërisë për hapjen e negociatave
Grupet parlamentare qeverisëse në Gjermani, kanë autorizuar Qeverinë e Kancelares Merkel që të miratojë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë vetëm kur vendi të plotësojë 9 kushte. Kushtet janë të ndara në dy faza.

Konferenca e parë për prezantimin e grupeve të negocimit do të zhvillohet vetëm atëherë kur Qeveria Gjermane të konstatojë plotësimin e dy kushteve nga Shqipëria:

1.Vënia në punë e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë.

2.Miratimi i Reformës Zgjedhore, e cila të jetë në përputhje të plotë me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe të sigurojë një financim transparent të partive dhe fushatave zgjedhore. Reforma duhet të bëhet në një dialog të hapur dhe gjithëpërfshirës të të gjitha forcave politike.

Konferenca e Dytë, që shënon hapjen zyrtare të negociatave, me nisjen e negocimit për kapitujt e parë, do të ndodhë vetëm kur Qeveria Gjermane të konstatojë plotësimin e shtatë kushteve të tjera nga Shqipëria:

1.Zbatimi i ligjit për reformen zgjedhore të inicuar.

2.Fillimi i procedimeve penale kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve të cilët nuk u kualifikuan në procesin e vetingut për shkak të sjelljes së dënueshme.

3.Fillimi i ndjekjes penale dhe eventualisht i proceseve gjyqësore kundër atyre që lidhen me blerjen e votave në zgjedhje, dhe ndjekjen serioze dhe të shpejtë të procedimeve.

4.Angazhimi i strukturës speciale për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe aftësia e saj për të punuar.

5.Progres solid në krjimin e bilanci suksesi në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet, përfshirë inicimin dhe proçedimet e para të përfunduara kundër nënpunësve civilë dhe politikanëve të nivelit të lartë.

6.Progres i prekshëm në reformën administrative.

7.Një vendim përfundimtar për ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019 nga Gjykata Kushtetuese; nëse urdhërohet përsëritja e zgjedhjeve, ato duhet të zhvillohen në bazë të ligjit të ri zgjedhor.

Bundestagu gjerman i kërkon Qeverisë Gjermane që t’i bëjë të qartë Shqipërisë, se nëse pas hapjes së negociatave të pranimit, Shqipëria vonon, pezullon ose tërheq përmbushjen e detyrimeve, atëherë negociatat e pranimit duhet të ndalojnë dhe në rast dyshimi, të ndërpriten.

Dokumenti i siguruar, bën edhe një skanim sesi Budestagu e shikon gjendjen aktualisht në Shqipëri. Aty theksohen disa konstatime kryesore të grupeve parlamentare qeverisëse në Gjermani (CDU/CSU dhe SPD) lidhur me gjendjen në Shqipëri dhe më konkretisht:

1.Gjatë zbatimit të disa prioriteteve kyçe faktikisht u arrit progres, por gjithashtu ekzistojnë shumë deficite. Institucionet e reja për vetë-administrimin në fushën e drejtësisë faktikisht janë ngritur, por nuk janë akoma funksionale.

2.Kultivimi i drogës mundi të frenohej, por në vend të saj është rritur roli i Shqipërisë në trafikun e saj. Shqipëria mbetet sidoqoftë, bazë e trafikut të drogës për tregun evropian. Trafiku i drogës është rritur ndjeshëm.

3.Shqipëria është në një krizë të rëndë politike pa zgjidhjen e së cilës hapja e negociatave vështirësohet në mënyrë të konsiderueshme. Bundesatg i bën thirrje palëve politike të hedhin të gjithë hapat e mundshëm për të zgjidhur sa më shpejt krizën e rëndë politike.

4.Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë janë jo funksionale.

5.Reforma Zgjedhore nuk është miratuar dhe rekomandimet e OSBE-ODIRH nuk janë zbatuar.

6.Deri tani nuk është lëshuar asnjë urdhër arresti nga Prokuroria për ata që akuzohen për blerje votash. Duhet të fillojnë menjëherë procedime penale dhe të përfundojnë shpejt.

7.Për zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019 mungon një vendim mbi ligjshmërinë e tyre. Nevojitet një vendim urgjent i Gjykatës Kushtetuese për ligjshmërinë e këtyre zgjedhjeve.

8.Të hetohen zyrtarët dhe politikanët e nivelit të lartë.

9.Reforma e administratës publike po përparon ngadalë.
Shtuar më 24/09/2019, ora 19:34
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori