Mesazhe dhe fotografi horror në celularët e pasagjerëve, shtyhet për dy orë fluturimi në aeroportin e Romës

Fluturimi nga Roma për në Alicante në Spanjë është shtyrë për dy orë për shkak të disa mesazheve dhe fotove të frikshme në telefonat e personave që prisnin të niseshin, sipas mediave italiane.

Gjithçka nisi pak minuta para nisjes, kur një kërkesë për të pranuar një mesazh mbërriti nëpërmjet AirDrop në iPhone-t e disa prej 147 udhëtarëve të pranishëm. Megjithëse dërguesi ishte i panjohur, shumë prej tyre i pranuan.

Një seri pamjesh bardh e zi horror me kafka dhe figura makabre u shfaqën në ekranin e pajisjeve. Duke e shoqëruar atë me një tekst të errët në amharic -gjuha zyrtare e Etiopisë – e titulluar “wake up wake up wake up”, e cila më vonë u dëshmua të ishte një anatemë e vdekjes dhe dënimit.

Për arsye sigurie, autoritetet e aeroportit vendosën të pezullonin nisjen në momentin e fundit dhe të lajmëronin policinë kufitare. Agjentët nuk vonuan shumë për të identifikuar personin përgjegjës për ngjarjen, një 18-vjeçar spanjoll i prirur për shaka.

Ai ndoshta u frymëzua nga një episod i ngjashëm që ndodhi në maj në një fluturim Tel Aviv-Stamboll, kur nëntë persona u kishin dërguar pasagjerëve të tjerë fotografi të përplasjeve të avionit përsëri përmes AirDrop.