Xhiroja nëpër Ish-Bllok e Dritan Dajtit shkaktoi furtunë, si ishte e vërteta
Emri i Dritan Dajtit vazhdon t’i sjellë telashe policisë. I dënuar me 4 burgime të përjetshme dhe më pas me një dënim që ka zbritur në 25 vite heqje lirie për vrasjen e katër policëve, Dritan Dajti u ka hapur probleme edhe efektivëve të policisë së Burgjeve. Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave ka kallëzuar në Prokurori emrat e efektivëve të Policisë së Burgjeve.

Prokuroria nisi hetimet për dyshimet e shpërdorimit të detyrës ndaj disa ish zyrtarëve të Policisë së Burgut të Peqinit dhe efektivëve të Policisë së burgjeve që dyshohen se kanë shkelur detyrën pasi shoqëruan për vizita mjekësore në Tiranë Dritan Dajtin.

Por nga shkresat e sekuestruara rezulton se vizita e Dritan Dajtit në Tirane ishte aprovuar edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e burgjeve, referuar dëshmise së shefit të Policisë së Peqinit Hysni Ndreu. Ai ka deklaruar se institucioni qëndror ishte njoftuar për shoqërimin nën masa të rrepta sigurie drejt kryeqytetit.

Hetimi nisi pas gjetjeve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve që konkludon se të dyshuarit e kanë dërguar Dajtin për dy konsulta në klinika private duke shmangur spitalet shtetërore.

Por njëri nga mjekët e burgut që është nën hetim deklaron se i burgosuri ka shprehur shqetësime shëndetësore sikurse dhimbje koke dhe çrregullime me shikimin. Ndaj edhe mjeku kishte firmosur sipas tij një konsulte tek okulisti, të cilën Dajti kishte kërkuar ta kryente në një klinikë private në Tiranë. Më tej të burgosurit i është lejuar edhe një konsultë në një klinikë për alergjinë. Por nga shkresat e sekuestruara rezulton se për këto vizita është vënë në dijeni edhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve me një shkresë me numër protokolli 1026.

Prokuroria thotë se Njësia Operacionale e Burgjeve rezulton t’i ketë marrë të gjitha masat e duhura për vizitën mjekësore të Dajtit, ku fillimisht ai është ndaluar pranë Poliambulancës pranë 21 dhjetorit.

Në denoncim thuhet se personat që janë referuar për hetim nuk e kanë vlerësuar si duhet situatën dhe se njoftimi i lëvizjeve të të dënuarit nga salla e informacionit drejtuar eprorëve është bërë me mesazh./tch/

Shtuar më 19/01/2020, ora 19:57

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori