Vuçiç: Do të fusim ushtrinë në Kosovë
Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç, para dy javësh kishte paralajmëruar se do të kryheshin arrestime në Veri të Republikës së Kosovës nga njësitet speciale të Policisë së Kosovës.

E për një gjë të tillë ai ka folur edhe sot gjatë seancës për Kosovën që po zhvillohet në Kuvendin e Serbisë.

“Kjo që po ndodh sot, është ajo që ne e kishim paralajmëruar rreth 15 ditë më herët, kur e kishim alarmuar komunitetin ndërkombëtar “, ka thënë Vuçiç, shkruan B92, transmeton Gazeta Express.

Ndër të tjera ai ka thënë se janë arrestuar rreth 23 persona, një prej të cilëve është shtetas rus, punëtor i UNMIK-ut.

Kreu i shtetit serb gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Serbisë, ka gënjyer duke thënë se Policia e Kosovës ka shtënë në drejtim të civilëve të paarmatosur.

Ai ka folur edhe për një rrahje të serbëve që ka ndodhur në Shkollën Teknike në Zubin Potok.

“ Ka ndodhur edhe një rrahje e serbëve në Shkollën Teknike në Zubin Potok, kanë thyer shtëpi, në mënyrën më brutale të mundshme, për të treguar se a ta mëdhenj dhe të fuqishëm janë “, është shprehur Vuçiç.

Ai ka paralajmëruar që në rast të përshkallëzimit të situatës, Serbia do të ndërhyjë ushtarakisht për të siguruar jetën e banorëve në Veri.

“Nëse rrezikohet rendi dhe jeta e popullit që jetojnë në veri të Kosovës, ushtria jonë do të mbrojë popullin tonë”, ka thënë Vuçiç.
Shtuar më 28/05/2019, ora 13:45
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori