Orteku i borxheve në ‘kurriz’ të kryebashkiakëve të rinj

Në prag të zgjedhjeve të 14 majit, pushteti vendor rezulton me një mal detyrimesh të pashlyera që arrijnë në 5.9 miliardë lekë.

Sipas të dhënave zyrtare, stoku i detyrimeve të prapambetura në fund të 2022 është ulur krahasuar me vitet e tjera, por sërish asnjë nga 61 bashkitë nuk ka arritur të zerojë borxhet. Shlyerja mbetet ndër sfidat kryesore të 61 administratorëve të rinj të bashkive pasi të marrin pushtetin, sipas ekspertëve.

Nga Esmeralda Topi 

61 kryetarët e rinj të bashkive që do të dalin nga zgjedhjet vendore të 14 majit do të gjejnë një mal me borxhe të pashlyera nga njësitë e qeverisjes vendore. Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se në fund të 2022 stoku i detyrimeve të prapambetura nga ana e pushtetit vendor arriti në 5.9 miliardë lekë.

Vlera e këtij stoku është përgjysmuar krahasuar me vitin 2015, kur detyrimet e papaguara rezultonin 12.1 miliardë lekë, por sërish ulja e borxhit po bëhet me ritme të ngadalta. Pavarësisht përpjekjeve ndër vite, asnjë nga 61 bashkitë e vendit nuk ka mundur të zerojë detyrimet e prapambetura.

Sipas të dhënave, peshën më të rëndë të kësaj fature e mbajnë detyrimet për investime (të cilat zënë rreth 50% të detyrimeve totale). E thënë ndryshe këto janë para për punë të papaguara në rrugë, shkolla, apo ujësjellsa. Pjesa tjetër janë fatura të papaguara për shërbimet e marra, vendimet gjyqësore, mallrat apo punët për mirëmbajtje si dhe faturat e energjisë elektrike.

Bashkitë me borxhin më të lartë 

Tirana, Kavaja dhe Vora janë tre bashkitë me vlerën më të lartë të detyrimeve të papaguara në fund të 2022.

Por ndryshe nga Kavaja dhe Vora, që krahasuar me një vit më parë i kanë ulur lehtë këto detyrime, Bashkia e Tiranës thuajse e ka dyfishuar stokun e borxhit. Shifrat tregojnë se fatura e borxheve të bashkisë më të madhe në vend është rritur me 526 milionë lekë krahasuar me vitin 2021 në dy zëra kryesorë, investime dhe shpenzime të tjera.

Qeverisja vendore në Shqipëri

Një raport i sapopublikuar nga Instituti për Bashkitë e Shpërqiisë teksa analizon detyrimet e prapambetura të bashkive vë në dukje se 14 prej tyre e kanë shtuar vlerën e borxhit në fund të 2022.

“Gjithsesi performanca e 61 bashkive në këtë aspekt është mikse, ku referuar të dhënave vërehet se 14 prej 61 bashkive e kanë shtuar vlerën e detyrimeve të prapambetura ku spikasin bashkia Tiranë (+526.5 milionë lekë), bashkia Dibër (+251.9 milionë lekë), bashkia Pustec (+145.6 milionë lekë) dhe bashkia Devoll (+63.9 milionë lekë). Nga ana tjetër, vërehet një ecuri pozitive në shlyerjen e detyrimeve të prapambetura nga bashkia Malësia e Madhe (-253.8 milionë lekë), bashkia Durrës (+196.3 milionë lekë), bashkia Lezhë (-183.6 milionë lekë), bashkia Belsh (-141.4 milionë lekë) dhe bashkia Berat (-134.6 milionë lekë). Vlen të përmendet fakti që bashkia Këlcyrë dhe bashkia Patos për të dytin vit rradhazi nuk krijojnë asnjë detyrim të prapambetur ndaj palëve të treta.”, nënvizon raporti për vitin 2022.

Çfarë thonë ekspertët? 

Sipas ekspertëve zerimi i detyrimeve të pushtetit vendor duhet të jetë prioritet në punën e kryebashkiakëve të rinj.

“GARA PËR BASHKITË DEFICITARE, DUKET SE ËSHTË GARA MË E FORTË ELEKTORALE NË KËTË FUSHATË. NË RETORIKËN E TYRE KËTO SHIFRA NUK EKZISTOJNË, AS FORMA SE SI DO T’I RIKUPEROJNË, POR VETËM PROJEKTE DHE 3D TË CILAT ME GJASA SHTOJNË BORXHIN NDAJ QYTETARËVE. FAKTI QË KANDIDATËT SHPENZOJNË SHUMË PARA, ENERGJI DHE BËJNË BETEJA TË MËDHA PËR TË DREJTUAR KËTO BASHKI, JO DUKE DHËNË ZGJIDHJE PËR BORXHIN, POR PREMTIME PËR INVESTIME TË REJA, SHPJEGOHET ME FAKTIN SE PRIVILEGJI PËR TË DREJTUAR KËTO BASHKI FSHEH NGA MBRAPA NIVELIN E LARTË TË KORRUPSIONIT NË TENDERA DHE SHËRBIME, INTERESAT E LARTA EKONOMIKE QË MUNDËSON PUSHTETI VENDOR SI LEJET E NDËRTIMIT APO PROJEKTET ZHVILLIMORE, POR EDHE MBAJTJEN E PUSHTETIT NË FUNKSION TË ZGJEDHJEVE TË PËRGJITHSHME”

Rigels Xhemollari, Qendresa QytetareNdërsa, Drejtoresha Ekzekutive e Shoqatës për Autonomi Vendore, Adelina Farrici thotë se disa prej kandidatëve e kanë prekur në mënyrë indirekte këtë problematikë, teksa thekson se zerimi i borxheve duhet të jetë prioritet i çdo kryebashkiaku të zgjedhur pas 14 majit. “DUKE GJYKUAR NË SITUATËN AKTUALE KU JEMI NË FUSHATË PËR ZGJEDHJET LOKALE, DHE NËSE SHOHIM PLATFORMAT E KANDIDATËVE NË MËNYRE INDIREKTE FLITET EDHE PËR DETYRIMET E PRAPAMBETURA. TRAJTOHEN ÇËSHTJE TË MIRËMENAXHIMIT FINANCIAR, MIRADMINISTRIMI, RRITJA E TË ARDHURAVE ETJ. TË GJITHA KËTO I SHËRBEJNË ULJES SË DETYRIMEVE TË PRAPAMBETURA. DUKE NDJEKUR ECURINË E DETYRIMEVE NDËR VITE KEMI RËNIE TË TYRE, KJO TREGON VËMENDJEN E KUSHTUAR NGA BASHKITË VIT PAS VITI DHE MENDOJ QË DO VAZHDOJË TË JETË NË PRIORITETET E BASHKIVE DHE PAS ZGJEDHJEVE NË MËNYRE QË NË NJË PLAN AFATMESËM TË SHKOJMË DREJT ZERIMIT TË KËTYRE DETYRIMEVE.”

Adelina Farrici

Kur mund të zerohen borxhet e pushtetit vendor?  

Në përpjekje për të adresuar këtë problematikë të mbartur prej vitesh, qeveria miratoi në mars disa ndryshime në ligjin për financat e vetëqeverisjes vendore që i hap rrugën shlyerjes së detyrimeve të prapambetura brenda vitit 2024. Ndryshimet e propozuara detyrojnë bashkitë që të paktën 30 për qind të fondeve të trashëguara nga një vit më parë, t’i përdorin për shlyerjen e borxheve.

“KËTO PARA QË TRASHËGOHEN SIPAS NJËSIVE, SHKOJNË PËR TË SHLYER DETYRIMET E PRAPAMBETURA NËSE KANË OSE HUATË QË KANË MARRË PËR PROJEKTE APO FUSHA TË NDRYSHME. NE SYNOJMË QË SË PARI TË RRISIM DISIPLINËN FINANCIARE TË NJËSIVE TË VETËQEVERISJES VENDORE, QË KËTO NJËSI TË SYNOJNË QË TË ULIN STOKUN. DHE PËR HIR TË SË VËRTETËS FAKTI QË JANË ULUR DETYRIMET NË FUND TË VITIT 2022, TREGON QË SHUMICA E BASHKIVE KANË REFLEKTUAR.”, POHON PËR FAKTOJE FRAN BRAHIMI, DREJTOR I FINANCAVE VENDORE NË MINISTRINË E FINANCAVE DHE EKONOMISË, TEKSA THOTË SE NISMA SYNON QË STOKU I DETYRIMEVE TË PRAPAMBETURA TË ZEROHET NË FUND TË VITIT 2024. 

Fran Brahimi, Drejtor i Financave VendoreNdryshimet në ligjin për financat e vetëqeverisjes vendore pritet të kalojnë për diskutime në komisionet parlamentare, në mënyrë që t’i hapet rrugë miratimit në parlament. /Faktoje.al


Shtuar 9.05.2023 18:37