Vrau qiradhënësin me kallashnikov, merret vendimi për vrasësin
Gjykata e Beratit ka lënë në burg Vangjel Polovinën, autorin e vrasjes së Ajet Gunelit dy ditë më parë. 44-vjeçari ka pranuar se ka vrarë në gjaknxehtësi Gunelin duke thënë se viktima e fyente dhe ofendonte me fjalë të rënda.

Ngjarja ndodhi dy ditë më parë në një lokal pranë liqenit në fshatin Goraj ku autori shkrepi dy karikator kallashnikovi mbi trupin e viktimës Ajet Guneli (Dajlani) duke i shkaktuar vdekje të menjëhershme të 41 vjeçarit.

Më parë, Vangjel Polovina ka deklaruar përpara grupit hetimor se konflikti mes tyre ka nisur për shkak të një qeraje të papaguar nga ana e tij kundrejt viktimës.

Polovina thekson se në momentin që Ajeti ka ardhur nga Anglia i ka kërkuar që të takohen për t’i dhënë lekët e qerasë. Të dy palët kanë rënë dakort që pagesa e prapambetur të bëhet me mish, ku sipas tij ai i ka dhënë viktimës 46 kg mish që korrespondojnë me qeranë e papaguar të dy muajve e gjysëm. Me kryerjen e këtij veprimi autori i ngjarjes së rëndë deklaron se kujtoi se e shleu borxhin ndaj Gunelit.

Sipas tij vrasja u krye pasi Guneli e sulmoi me karrige kur u takuan në lokal.

“Unë i kisha marrë me qira Ajetit një stallë derrash në fshatin Perondi, ku edhe jetoj. Deri në vitin 2019 i kisha paguar rregullisht të gjitha detyrimet e qirasë, dritave dhe ujit të kësaj godine. Në vitin 2020 isha vonuar në disa muaj pagesash dhe kur erdhi Ajeti nga Aglia disa javë më parë më kërkoi të takoheshim. U takuam dhe pasi i thashë që nuk kisha lekë gjendje për ta paguar, ramë dakord që borxhin në lekë ta likujdoja me mish derri.

Dy ditë para vrasjes, i kam dhënë Ajetit 46 kg mish, që korrespondonin në vlerë lekësh me borxhin që i kisha mbetur për 2 muaj e gjysëm qira. Unë mendova se u likujduar por Ajeti më mori në telefon një ditë më vonë, dmth natën para vrasjes. Unë nuk e kisha ndjerë telefonin dhe kur u zgjova në mëngjes e pashë që më kishte telefonuar dhe e mora mbrapsht. Sapo ma hapi telefonin, pa më lënë as ta përshëndes më ka sharë dhe më tha; “do të vras, do të heq qafe”. Në këtë moment,kam hipur në mjetin tim furgon dhe në sedilen e pasagjerit vendosa kallashnikovin.

Vajta tek lokali ku ai pinte kafen dhe pa zbritur nga makina i thirra për t’u afruar. Ajeti, sapo më pa, më erdhi drejt me vrap duke më sharë dhe me një karrige në dorë për të më qëlluar, pa e ditur se unë kisha armë me vete. Në këtë moment, kam dalë jashtë me armën në dorë dhe kam qëlluar një herë në ajër për t’u shpërndarë personat e tjerë që ndodheshin në lokal.

Ajeti filloi të bridhte me vrap dhe u rrëzua në tokë. Aty kam filluar të gjuaj me breshëri në drejtim të tij dhe pasi shkreha 1 karikator të tërë kallashnikovi dhe më pas u largova me furgon nga vendngjarja”, -ka thënë në deklaratën e tij në polici, autori i krimit, 41-vjeçari Vangjel Polovina.
Shtuar më 20/12/2020, ora 11:34

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori