Vrau 10 vjeçarin, i dënuari me burgim të përjetshëm tenton të djegë qelinë
Një i burgosur i cili është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e një 10 vjeçari, ka tentuar të djegë qelinë në orët e para të ditës së sotme.

Më herët, policia ka bërë me dije se Shpëtim Ziza, është një i sëmurë psikik me kartelë mjekësore, ndërsa tashmë është transferuar në një qeli tjetër.

Në vitin 2007 kur edhe ka ndodhur ngjarja e rëndë, ai e ka pranuar krimin duke pohuar se e kishte përdhunuar vogëlushin dhe më pas e kishte mbytur me lidhëse këpucësh.

Ziza i ka vënë flakën dyshekut në burgun e Krujës. Lajmi konfirmohet nga burime të Drejtorisë së Burgjeve. Raportohet se Ziza është transferuar në një qeli tjetër të burgut. I dënuari nuk ka pësuar dëmtime nga flakët në qeli, ndërsa nëna e tij pretendon se i biri është djegur në krah.

Disa ditë më parë, Ziza tentoi të varej me çarçaf por është shpëtuar nga roja i burgut. Shpëtim Ziza është i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e 10-vjeçarit Besim Çenga, ngjarje e ndodhur në tetor të vitit 2007.

Trupi i pajetë i 10-vjeçarit Besim Çenga u gjet në një përrua afër fshatit Tomin të rrethit të Dibrës, 7 km larg Peshkopisë, 5 ditë pas zhdukjes më 23 tetor 2007. Sipas vendimit të gjykatës, Shpëtim Ziza kishte mashtruar 10-vjeçarin duke e ftuar të shkonte me të për të luajtur, ndërsa prej 5 ditësh fëmija nuk ishte kthyer në shtëpi. /albeu.com/


Shtuar më 02/10/2014, ora 11:33
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori