EMRI/ 26-vjeçari durrsak kërcënon kushëririn, qëllon me kallashnikov në ajër

Policia e Durrësit ka arrestuar një 26-vjeçar pasi ky i fundit ka kërcënuar me armë zjarri kushëririn e tij.

I riu ka qëlluar me kallashnikov në ajër pas një konflikti për motive të dobëta.

Në kuadër të operacionit “Kalibri”, policia bëri të mundur arrestimin shtetasit Euron Balla.

“Pas marrjes së njoftimit se në fshatin Jube, Durrës, një shtetas kishte qëlluar me armë zjarri në ajër, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Forcën Operacionale, kanë organizuar punën dhe kanë mbërritur në vendin e njoftuar, me qëllim arrestimin e autorit.

Si rezultat i ndërhyrjes së menjëhershme në kuadër të operacionit policor të koduar “Kalibri”, u kap dhe u arrestua shtetasi E. B., 26 vjeç, banues në fshatin Jubë, Durrës.

Shtetasi E. B. ka qëlluar me armë zjarri kallashnikov në ajër, për të kanosur kushëririn e tij, shtetasin M. B., 63 vjeç, me të cilin ishte konfliktuar për motive të dobëta.

Arma e zjarrit kallashnikov që posedohej pa leje nga 26-vjeçari, 2 krehra dhe 54 fishekë luftarak, u gjetën nga Policia dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale”, sqaron policia.

Ndërkohë materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Kanosja” dhe “Prishja e qetësisë publike”./Albeu.com


Shtuar 22.08.2023 10:59