Është votuar me 96 vota pro në Kuvend kandidatura e
Altin Binajt për në
Gjykatën Kushtetuese.
Votimi i Binajt nga Kuvendi, u bë pas shtimit të presionit nga ana e ndërkombëtarëve, të cilët kanë kërkuar që Gjykata
Kushtetuese të bëhet funksionale brenda këtij viti.
Lidhur me votimin e Binajt ka reaguar përmes një postimi në Twitter dhe kreu i grupit parlamentar në PS Taulant Balla.
“Parlamenti shqiptar ka votuar sot anëtarin më të fundit të Gjykatës
Kushtetuese me 96 vota, duke e bërë atë anëtar të GJK. Kjo është një punë e rëndësishme për ndërtimin e institucioneve të reja të Drejtësisë”, shkruan Balla në postimin e tij.
Ishte këshilli i Emërimeve në Drejtësi, KED, i cili i dërgoi
Kuvendit raportin dhe pikëzimin për kandidatin e vetëm
Altin Binaj, për vakancën në
Gjykatën Kushtetuese të shpallur prej
Kuvendit sëfundmi në 24 shtator 2020.
“Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pas diskutimeve miratoi vendimin për pikëzimin dhe renditjen e kandidatit të lejuar për vendin vakant në
Gjykatën Kushtetuese, vakancë e parakohshme, e shpallur nga Kuvendi i Shqipërisë në datën 28.08.2018 dhe rishpallur në datat 21.08.2019 dhe 24.09.2020, si edhe listën përfundimtare të renditjes së bashku me raportin përkatës. KED po sot, i përcolli këto akte pranë organit të emërtesës,
Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, thuhej në njoftimin e KED.
Binaj e ka filluar karrierën në institucionin e Prokurorisë në Shqipëri në mesin e viteve ’90 dhe ka qenë prokuror në Vlorë dhe drejtues i prokurorisë atje për disa vite. Në vitin 2013, prokurori
Altin Binaj u emërua në Prokurorinë e Përgjithshme, ku kryesoi drejtorinë e hetimit të korrupsionit. Prej vitit 2016,
Binaj drejton Prokurorinë e Apelit të Vlorës.
Shtuar më 17/12/2020,
ora 14:59