Vjollca Arapi thirrje të ëmës së Jurgen Kurtit: Unë jam nënë, nuk e kemi vrarë ne
Vjollca Arapi, bashkëshortja e të ndjerit Agim Arapi, thotë se djali i saj nuk ka asnjë lidhje me vrasjen e Jurgen Kurtit.

Në një bisedë telefonike , zonja Vjollca i bëri thirrje autoriteteve shqiptare që të zbardhin ngjarjen dhe të gjejnë vrasësit e 26-vjeçarit Kurti.

“I lutem shumë Ardi Veliut, Sandër Lleshit, Arta Markut të marrin situatën në dorë, të gjejnë vrasësit. Në qoftë se është politike, mos e mbulojë politika. Mos ta mbulojë. Kjo është një vrasje mafioze që ai kush e di ka pasur kusure për të larë. Se i tillë ka qenë, po e them me keqardhje”.

Ajo thotë se nuk e ka njoftuar djalin e saj Dervis Arapi se është person i shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës. Sipas saj, i biri ka mësuar vetëm për vrasjen e Jurgen Kurtit dhe asgjë më shumë, shkruan tvklan.al.

“Djali im është vënë në dijeni që kanë vrarë Jurgen Kurtin. Djali im nuk di, nuk ja them. Nuk kam pse ja them. Policia e Shtetit ka nxjerrë një njoftim për kërkimin e Dervis Arapit që është djali im. Djali im nuk është vrasës. Ta gjejnë se kush është vrasësi i Jurgen Kurtit. Jurgen Kurti ka pasur shumë probleme. Nuk ngelëm ne ta vrasim Jurgen Kurtin”.

Znj. Vjollca bëri edhe një thirrje për të ëmën e viktimës Jurgen Kurti.

” I bëj thirrje nënës së Jurgen Kurtit, i them: “Kërko vdekjen e djalit tënd. Se nuk jemi ne që ta kemi vrarë”. Më dhimbset kur dëgjova nënën e vet që ulërinte aty. Edhe unë jam nënë”.

E ëma e Dervis Arapit mohoi çdo përfshirje të djalit apo familjarëve të saj në vrasjen e 26-vjeçarit Kurti.

“Po ja u them me sinqeritetin më të plotë si nënë, si grua, si bashkëshortja e një viktime, po ju them që nuk kemi gisht në vdekjen e Jurgen Kurtit. Harrojeni këtë. Nuk kam aq Lekë unë që të vras Jurgen Kurtin. Nuk ja dal dot me Lekët që kanë ata. Harrojeni”!

Sipas informacioneve më të fundit nga grupi hetimor, Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim Dervis Arapin, djalin e Vjollca Arapit dhe të ndjerit Agim Arapi, si person që mund të ketë dijeni për vrasjen e Jurgen Kurtit më 18 Mars poshtë pallatit të tij në Tiranë. Sipas sistemit TIMS, Dervis Arapi rezulton që të mos ketë hyrë në Shqipëri që prej muajit Janar, pasi jeton në Itali.
Shtuar më 20/03/2019, ora 12:52
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori