Vjeshta e trazuar e Kosovës
Një rrëfim “off the record” për politikën kosovare dhe atë se çka mund ti sjellë vjeshta. Negociatat me Serbinë, raportet ndërkombëtare të progresit dhe me FMN-në, raportet politike, sfidat qeveritare dhe prapaskenat e tyre që e bëjnë vjeshtën të nxehtë

“Nivelin e përkrahjes së qytetarëve nuk e kemi pasur më të lartë që një kohë...Ndoshta qëkur kemi shpallur pavarësinë”, më shpjegonte me gëzim njëri nga këshilltarët e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, javën e shkuar.

Derisa po bisedonim gjatë në njërën nga hijet e Prishtinës në një ditë tepër të nxehtë, ngazëllimi i këshilltarit me aksionin e qeverisë në veri, bartej fuqishëm nga një qosh i tavolinës tek tjetri, qoftë përmes fjalëve me pasion, shikimit apo lëvizjes shpjeguese të duarve.

Një pjesë e muhabetit të lirë të asaj dite, kur serbët dhe KFOR-i tashmë ishin marrë vesh për “pikat e pajtueshmërisë” për heqjen e barrikadave në veri (një ende qëndron aty edhe sot) që këshilltari i kryeministrit Thaçi e cilëson si futje përfundimtare të kontrollit nga qeveria në tërë vendin i dedikohej një mysafiri tjetër të rastit, njëri nga zyrtarët e lartë të partisë serbe SLS në koalicionin.

“Nuk keni bërë asgjë më shumë se futja si palë në bisedime e serbëve të veriut”, ishte njëri nga reagimet miqësore të zyrtarit të SLS-së në pohimet e këshilltarit, se veriu është punë e kryer dhe është i Kosovës.

Partia serbe që në qeveri mban edhe postin e zëvendëskryeministrit, përkrahu aksionin qeveritar për vendosjen e rendit në veri. Të lumtur mund të mos kenë qenë. Ekziston një përshtypje se ndikimi i tyre mund të zvogëlohet nëse serbët në veri inkuadrohen në jetën politike të Kosovës, ndërsa ata nuk mbërrijnë të pozicionohen mirë aty.

Përkundër ngacmimeve, provokime, por edhe shtyrjeve, nuk dilte asgjë që ta largonte këshilltarin nga pozita dominuese në tavolinë. Forcimi i pozitës së qeverisë dhe të kryeministrit, reflektonte pozicionin e tij në tavolinë. Asgjë s’e shtynte në defansivë. Për defansivë e njohim, edhe për kritikë dhe vetëkritike, madje shpesh edhe më të madhe se që duhet. Këtë herë jo. Sepse ishte i lumtur. I lumtur si… si një fëmijë. Si një i rritur që ka hequr shumë telashe nga barra e qafës, me një potez të vetëm. Si hija që kishim zënë në atë ditë me diell, ndoshta.

Këshilltari, ndër më të zotët që ka afër kryeministri Thaçi në kabinetin e tij, kishte të drejtë në emocionet e tij. Një veprim i shpejtë, i paparaljmëruar i dërgimit të forcave policore dhe doganore në dy pikat në veri të Kosovës dhe përkrahja popullore e politike ndaj tij, nxorën nga këndi intim kryeministrin dhe tërë qeverinë e Kosovës, shkruan "Zëri" në numrin e sotëm.

Në ato dy javë për të vazhduar madje edhe sot kryeministri Thaçi i hoqi merakun disamujor daljes në medie, takimeve publike, madje mblodhi qeverinë edhe nga dy herë në ditë. Kundërshtime s’kishte, por vetëm përkrahje. Ok, munguan CNN, BBC dhe ndriçimi i sheshit, por gjithçka tjetër ishte gati sikur të rikthehej 17 shkurti. Popullin e kishin mbrapa, xixëllimat s’kanë rëndësi fort.

Takimet, intervistat vazhduan edhe për disa ditë, por glamouri politik lokal nuk mund të shkojë gjatë, pavarësisht nga fuqia mediale që ka afër.

“Një atmosferë e tillë nuk do të zgjasë. Tash vijnë punët të cilat duhet t’i përfundojmë”, më tha një zyrtar i lartë qeveritar në një takim tjetër.

Hapësirat kufitare dhe doganore në veri tashmë janë zona ushtarake, nëpër të cilat kalimi u lejohet vetëm udhëtarëve, mallrave që nuk zënë më shumë vend se vetura aqë vozitet dhe kamionët deri në 3.5 tonë me ndihma humanitare. Hyrja e mallrave të tjera nuk lejohet, dhe reciprociteti u vendos, pak a shumë. Bisedimet me Serbinë duhet të vazhdojnë, në shtator dhe në vjeshtë...
Shtuar më 16/08/2011, ora 11:10

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori