Vjedhja e Thesarit, Qeveria: Prokuroria hetim të shpejtë, sfidë e madhe për organet e drejtësisë
Pëlqej
Që prej bërjes publike të skandalit mbi vjedhjen e rreth 7 milionë dollarëve nga thesari i Bankës së Shqipërisë, sot Qeveria ka reaguar për herë të parë.

Me anë të një njoftimi për shtyp, e quan krim të rëndë dhe një sfidë të madhe për drejtësinë. “Gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit të Ministrave, u diskutua me shqetësim mbi ngjarjen shumë të rëndë të grabitjes së parave në Bankën e Shqipërisë.

Qeveria e konsideron këtë akt të rëndë kriminal, një sfidë të madhe për drejtësinë në radhë të parë, duke nisur nga Prokuroria, që duhet të bëjë një hetim të gjithanshëm, të shpejtë dhe shterues për të ndëshkuar çdo person të përfshirë në krimin tronditës”, thuhet në deklaratën e Qeverisë.

Sipas saj, ky akt është po ashtu një sfidë e madhe për autoritetin dhe sigurinë e Bankës së Shqipërisë, e cila brenda kuadrit të pavarësisë së vete, duhet të garantojë përmes rishikimit të gjithanshëm të rregullave e mekanizmave të funksionimit të brendshëm, mospërsëritjen e asgjëje të ngjashme në të ardhmen.

“Por ky akt është edhe një sfidë e madhe për pushtetet e tjera vendimmarrëse, Kuvendin dhe Qeverinë, që të analizojnë e të konkludojnë në mënyrë konstruktive e në bashkëpunim me institucionet financiare ndërkombëtare, mbi nevojat e masat e duhura ligjore, për të garantuar në respekt të plotë të pavarësisë së Bankës së Shqipërisë, një sistem solid kontrolli e transparence, të veprimtarisë së këtij institucioni kyç, për mirëfunksionimin e shtetit shqiptar”, vijon deklarata.

Këshilli i Ministrave thekson se viti 2014, shënoi për shqiptarët dhe Shqipërinë suksesin e madh të marrjes së statusit të vendit kandidat, për Bashkimin Europian.

“Marrja e statusit erdhi pas kaq vitesh, si pasojë e drejtpërdrejtë e vullnetit të kësaj qeverie, të Aleancës për Shqipërinë Europiane, për të luftuar korrupsionin e krimin, por edhe për të respektuar dhe nxitur forcimin e pavarësisë së institucioneve, që njihen nga Kushtetuta e Republikës si të tilla.

Banka e Shqipërisë është njëra prej tyre. Prandaj sot, duke mirëkuptuar shqetësimin publik për ngjarjen e rëndë në Bankën e Shqipërisë dhe duke u bashkuar me këtë shqetësim legjitim, Qeveria e Shqipërisë e çmon me rëndësi po aq të madhe, qoftë nevojën e një ndëshkimi shembullor nga drejtësia për fajtorët, qoftë nevojën e një qëndrimi shembullor të saj, në respekt të pavarësisë së Bankës së Shqipërisë”, theksohet në deklaratë.

"Qeveria i siguron të gjithë shqiptarët se po e ndjek me shumë vëmendje ecurinë e veprimit të organeve të drejtësisë, për zbardhjen e plotë të krimit tronditës në Bankën e Shqipërisë dhe është e vendosur, të luajë rolin e vete për çdo nisme që do të mund të nevojitet në funksion të një sistemi të padepërtueshëm sigurie, në funksionimin e bankës qendrore të shtetit shqiptar". /albeu.com/
Shtuar më 06/08/2014, ora 13:50
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori