DOSJA: Si ia mundësoi Arben Ahmetaj lidhjen e kontratave koncensionare Zotos dhe Mërtirit në këmbim të “dhuratave”

Albeu.com ka zbardhur 12 faqet e kërkesës së SPAK drejtuar Kuvendit për arrestimin e ish-zv.kryeministrit Arben Ahmetaj.

Hetimet  janë shtrirë në kuadrin e parimit të një hetimi të gjithanshëm, në rolin që ka pasur Arben Ahmetaj, jo vetëm në procedurën për dhënien me koncesion të projektit për ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të qarkut të Elbasanit dhe prodhimin e energjisë, por edhe në atë për ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të qarkut Fier dhe prodhimin e energjisë si dhe ndërtimin e landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimi i venddepozitimeve ekzistuese Tiranë.

Nëv dosje thuhet gjithashtu se Ahmetaj ka përfituar në mënyrë të dretpërdrejtë ose të tërthortë me qëllim kryerjen ose moskryerjen e veprimeve që lidhen me detyrën dhe funksionin e tij, sjellje kjo e personit nën hetim që i ka mundësuar Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit dhe subjekteve tregtare të regjistruara në emër të tyre lidhjen e kontratave koncensionare.

Konkretisht:

Procedura koncensionare: me objekt “Ndërtimi dhe administrimi i impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut të Elbasanit për prodhimin e energjisë”, për të cilën është lidhur kontrata mes Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k., me nr. 11026/7 prot datë 16.12.2014;

Procedura koncensionare: me objekt “Për ndërtimin e administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Fier dhe prodhimin e energjisë”, për të cilën është lidhur kontrata mes Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë “Integrated Technology Ëaste Treatment Fier” sh.p.k. nr. 5553/5 datë 24.10.2016;

Procedura koncensionare: me objekt “Për ndërtim landfilli, inceneratori dhe rehabilitim i venddepozitimeve ekzistuese Tiranë dhe prodhimin e energjisë elektrike Zona e trajtimit të mbetjeve Tiranë (ZTMT)” për të cilën është lidhur kontrata mes Ministrisë së Mjedisit dhe shoqërisë “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k. me nr. 6021 rep nr. 2895 kol datë
31.08.2017.

Personi nën hetim Arben Ahmetaj, nga hetimet e kryera deri më tani, dyshohet se ka shtënë në dorë përfitimet e parregullta si më sipër, për shkak të sjelljes si funksionar si më poshtë vijon:

Në lidhje me procedurën me objekt “Ndërtimi dhe administrimi i impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut të Elbasanit për prodhimin e energjisë”, personi nën hetim Arben Ahmetaj, si Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, nëpërmjet vartësit të tij, të ndjerit Zamir Stefani, ka kontribuar në dhënien e koncensionit, në kundërshtim me kuadrin ligjor rregullues, duke u zbatuar procedura e negocimit pa shpallje paraprake si dhe duke mos u zbatuar detyrimet e tjera të ngarkuara nga kuadri ligjor në fushën e koncensioneve, përgjatë procedurave të ndjekura nga anëtarët e komisionit të sipërcituar, pjesë e të cilit ka qenë edhe i ndjeri Zamir Stefani.

Me shkresën nr. 7975/1 prot datë 14.11.2014 është shprehur parimisht dakort, në lidhje me projekt vendimin për përcaktimin e autoritetit kontraktues Ministrinë e Mjedisit, procedurën përzgjedhëse me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës që i jepet shoqërisë Alb – Tek sh.p.k. në procedurën koncensionare me objekt “Ndërtimi dhe administrimi i impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut të Elbasanit për prodhimin e energjisë”. Kjo shprehje dakordësie vjen në kundërshtim me kuadrin ligjor në fushën e koncensioneve kur nuk mund të zbatohej procedura me negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës. Gjithashtu, në asnjë moment nuk ka ngritur shqetësimin, se cila ishte shoqëria propozuese, paaftësia e saj teknike, ekonomike për kryerjen e një vepre të tillë.

Në lidhje me procedurën me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Fier dhe prodhimin e energjisë”, personi nën hetim Arben Ahmetaj, si Ministër i Zhvillimi Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, paraprakisht ka ndërmarrë nisma ligjore ( me vendimin nr. 325 datë 22.04.2015 të nënshkruar nga vetë Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, shtetasi Arben Ahmetaj, janë propozuar disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 125/2013, ndryshime këto të miratuara në datë 16.07.2015) me qëllimin e vetëm, përforcimin e rolit të tij dhe të organeve në varësi të tij (Atrako), në procedurat koncensionare. Gjithashtu është propozuar dhe në vijim miratuar, që propozuesit të pakërkuar t’i jepej bonus, gjë e cila është arritur dhe është përdorur pikërisht në rastin e projektit koncensionar të Fierit, ku i është dhënë bonus, një shoqërie të lidhur me shtetasit Sokol Meqemeja (bashkëjetues i shtetases Sonila Goxhaj), Klodian Zoto dhe Mirel
Mërtiri.

Personi nën hetim Arben Ahmetaj, ka qenë vazhdimisht në dijeni të problematikave që evidentonte Ministria e Financave dhe pengesat që kjo e fundit po nxirrte për miratim, në lidhje me procedurën koncensionare me objekt “Ndërtimi dhe administrimi i impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut të Elbasanit për prodhimin e energjisë”, apo edhe me diskutimet e komisionit, siç edhe lexohet nga emaili i datës 06.12.2014 kur shtetasi Ervin Mete i ka nisur në këtë datë emailin e përcjellë nga shtetasi Alqi Bllako, me materialin e përgatitur nga komisioni në lidhje me pikat e diskutuara dhe me pikat e diskutimit të Ministrisë së Financës.

Me shkresën nr. 429/1 prot datë 19.01.2016, personi nën hetim Arben Ahmetaj, si Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, ka shprehur dakordësinë për çeljen e investimeve nga Ministria e Mjedisit, detajimin e tyre për vitin 2016, në lidhje me Inceneratorin e Elbasanit në shumën 550 000 000 lekë, Impianti i prodhimit të energjisë nga mbetjet Fier 73 330 000 lekë; Pastrimi i lumit Shkumbin 130 000 000 dhe Mbyllja e vendepozitimit ekzistues të mbetjeve të ngurta urbane të qytetit të Elbasanit 740 000 000 lekë, ku në të katërta këto procedura, janë pikërisht miqtë e tij, shtetasit Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri që në mënyrë të drejtëpërdrejtë apo të tërthortë, kanë përfituar të ardhura.

Personi nën hetim Arben Ahmetaj, si Ministër i Zhvillimi Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, ka ndërmarrë nisma ligjore (me shkresën nr. 8026/22 prot datë 28.01.2016, shtetasi Arben Ahmetaj, në pozicionin e Ministrit të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes paraqet pranë Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, projekt vendimin për disa ndryshime dhe shtesa në VKM nr. 575 datë 10.07.2013 “Për miratimin e rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncension/partneritet publik privat” të ndryshuar) në lidhje edhe me ndryshimin e VKM nr. 575 datë 10.07.2013, ne koherencë me ndryshimet e ligjit për koncensionet te propozuara po prej tij, ku rritet pushteti i Ministrisë qe ai drejton dhe i Atrako.

Personi nën hetim Arben Ahmetaj, si Ministër i Zhvillimi Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, me shkresën nr. 367/2 prot datë 01.02.2016 ka shprehur dakordësinë e tij për projekt vendimin “Për miratimin e Bonusit prej 10 (dhjetë)% të pikëve, që i jepet shoqërisë “Building & Green Energy”, për rezultatin teknik, financiar dhe mjedisor, në procedurën përzgjedhëse konkuruese, për dhënien me konçesion, të ndërtimit dhe administrimit të impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Fier dhe prodhimin e energjisë”. Këtë përgjigje e ka dhënë pikërisht në kohën kur në këtë shoqëri ishte bërë ortak shoqëria Integrated Technology Services sh.p.k. e shtetasit Klodian Zoto. Në dhënien e kësaj dakordësie, nuk ka ngritur asnjë shqetësim në lidhje me historikun e kësaj shoqërie, aftësitë e saj financiare apo teknike.
/Albeu.com.


Shtuar 11.07.2023 16:55