Vizat, mekanizmi i rikthimit
Eurodeputetja sllovene, Tanja Fajon, në një intervistë dhënë për Top Channel deklaron se Shqipëria nuk rrezikon nga mekanizimi që Bashkimi Europian miratoi për vizat. Fajon thotë se duhet kujdes sepse në rast të rritjes së numrit të azilkërkuesve, vendoset menjëherë regjimi i vizave.

"Nuk ka rrezik të menjëhershëm për Shqipërinë për udhëtimin pa viza në vendet Shengen, por ajo çfarë kemi bërë është që për herë të parë Bashkimi Europian miratoi një mekanizëm që u mundëson vendeve anëtare të pezullojë regjimin e lirë pa viza në mënyrë të shpejtë dhe të menjëhershme. Është një mekanizëm që u krijua posaçërisht për Ballkanin do të thoja unë sepse u prezantua nga Komisioni dy vite më parë, kur ne u përballëm me një numër të lartë azilkërkuesish. Për momentin, shifrat e azilkërkuesve nuk janë kaq të rrezikshme, kaq alarmuese, edhe pse domethënëse. Situata është përmirësuar, prandaj vendet anëtare nuk kanë ndonjë argument për të pezulluar menjëherë regjimin pa viza për asnjë nga vendet e Ballkanit. Por, unë kam frikë se ky mekanizëm është i keq, për shkak se ne arritëm në një kompromis mjaft të keq. Parlamenti Europian nuk do të ketë më të drejtën për të thënë ndonjë gjë me këtë mekanizëm përgjatë gjithë proçedurës. Kështu që disa vende anëtare, me përvojën e së kaluarës, mund të rivendosin vizat për çfarëdolloj arsye, qoftë edhe politike. Kjo është frika ime, që mbase ky mekanizëm është një mjet i rrezikshëm në duart e qeverive europiane, veçanërisht në kohë krizash financiare e ekonomike, kur ne përjetojmë shumë retorika populiste e nacionaliste", ka thënë Fajon.

E pyetur se si do të funksionojë ky mekanizëm? A merret vendimi brenda 24 orëve apo ka afate kohore e raporte për vendin e ndëshkuar, Tanja Fajon është përgjgijur:

"Në praktikë, një apo më shumë vende anëtare mund t'i sinjalizojnë Komisionit rritje të menjëhershme të kërkesave për azil. Ata madje mund të shkojnë për krahasimin e të dhënave deri në 7 vitet e fundit, çfarë është shumë e rrezikshme pasi ne jemi përballur me rritje mjaft të madhe të azikërkuesve gjatë këtyre 7 viteve të fundit. U mundova gjatë negociatave për ta ulur këtë numër nga 7 në 3 vjet...
Kështu që, nëse vendi anëtar i sinjalizon Komisionit, atëherë Komisioni duhet të bëjë një vlerësim si dhe të bëjë një rekomandim e më pas vendosin vendet anëtare me shumicë në Këshill. Parlamenti nuk përfshihet pasi është me procedurë të shpejtë. Bëhet fjalë për pezullim të përkohshëm, që do të thotë se nëse Këshilli vendos, pezullohet regjimi i lirë i vizave për 6 muaj dhe kjo mund të zgjatet deri në 9 muaj. Nuk jam e sigurtë se si do të funksionojë pastaj mekanizmi për rikthimin e regjimit të lirë. Kjo mbetet për mua një çështje e pazgjidhur.

Normalisht mekanizmi pezullues do të fillojë me votimin nga Këshilli me shumicë të cilësuar. Kjo shumicë vendesh anëtare ekziston tashmë në Këshill, e dimë humorin e tyre kur flasim për një apo disa vende të Ballkanit. Por, kur flasim për përqindjet ekziston një rrezik sepse në dokumentet e shqyrtuara përcaktohet një rritje prej 50%. Unë mendoj se është e dëmshme një rritje e tillë për matjen e shifrave e madje nuk është aspak korrekte. Në dokumentin themelor përcaktohet se "duhet të jetë rritje e menjëhershme e numrit të kërkesave për azil", por nuk është fort e qartë se çfarë nënkupton kjo. Kështu që në përgjithësi, kur të kenë frikë nga kjo, vendet anëtare do të jenë në gjendje të votojnë me shumicë për të rikthyer me lehtësi regjimin e vizave kundër Ballkanit".

A pritet ndonjë veprim tjetër mbi këtë nga Parlamenti Europian?

"Ne në Parlamentin Europian po diskutojmë ende se si mund të veprojmë përmes shërbimit ligjor pasi është e vërtetë se me miratimin e këtij mekanizmi, ne lëshojmë pushtetin tonë, pushtetin e qytetarëve tanë për një çështje të ndjeshme, kjo ështe politika e vizave. Me këtë mandat ne po vëmë në rrezik të ardhmen pasi me traktatin e Lisbonës ne kemi të drejtë për t'u përfshirë kur bëhet fjalë për çështjet më sensitive siç është liria e lëvizjes. E në këtë rast mendoj se ishte një çështje shumë delikate. Për fat të keq, ne votuam për vendosjen e dy mekanizmave në të njëjtën paketë sepse unë besoj se po të kishte qënë vetëm mekanizmi pezullues, unë do të isha mbështetur shumë më tepër nga kolegët e mi", shprehet eurodeputetja.

Pas votimit në seancë, mekanizmi u miratua e tashmë do të jetë vetëm një formalitet për Këshillin që ta kalojë për t’i dhënë dritën e gjelbër përfundimisht, por ekziston një kompromis, kështu që unë pres që brenda pak javësh të publikohet në Fletoren Zyrtare e të hyjë në fuqi e për herë të parë në Bashkimin Europian do të kemi një mekanizëm që u mundëson vendeve anëtare të pezullojnë regjimin e lëvizjes pa viza. /albeu.com/
Shtuar më 22/09/2013, ora 14:54

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori