Vidhet kasaforta në Krimet e Rënda, inspektohet nga MD
Skandali i zhdukjeve të provave në Gjykatën për Krimet e Rënda ka ngritur në këmbë Ministrinë e Drejtësisë e cila po kryen një inspektim urgjent në këtë institucion.

Mësohet se gjatë ditës së Martë në Gjykatën për Krimet e Rënda në rrethana ende të paqarta dikush ka hyrë në dhomën e ruajtjes së provave duke tërhequr prej andej prova të rëndësishme për disa procese që po gjykohen në këtë gjykatë, si edhe një shumë parash.

Gjatë mëngjesit të sotëm inspektorë të Ministrisë së Drejtësisë kanë takuar kryetaren e komanduar të Gjykatës së Krimeve të Rënda e cila ka dhënë shpjegimet e saj në lidhje me këtë ngjarje.

Për të zbardhur këtë vjedhje është angazhuar edhe prokuroria e cila si pistë kryesore të hetimit të saj ka vetë punonjësit e këtij organi pasi kjo gjykatë është nën monitorimin e kamerave të sigurisë.

Gjatë kësaj grabitjeje janë vjedhur 50 mijë lekë të reja në portofolin e një të dënuari dhe 300 euro të një të paraburgosuri ndaj të cilit po vazhdon procesi gjyqësor. Në këtë zyrë të ruajtjes së provave ndodheshin edhe sende të tjera me vlerë, si bizhuteri, lëndë narkotike, armë dhe sende të tjera. /albeu.com/
Shtuar më 09/11/2011, ora 14:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori