Vetëvendosje të protestojë në kufirin me Shqipërinë
Jelko Kacin
Karshi reagimeve në vend, tri ditë pas protestës së Lëvizjes Vetëvendosje, me qëllim bllokimin e pikave kufitare në Merdarë dhe te Dheu i Bardhë, vazhduan reagimet edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Zëvendëspresidenti i delegacionit evropian për marrëdhëniet ndërmjet pesë shteteve të rajonit, Jelko Kacin. Ka thënë se ngjarjet në fjalë u ngjanin atyre që ndodhën para disa muajsh në veri të Kosovës, ku nga serbët protestues bllokuan rrugët kryesore në atë pjesë të vendit.

Protesta me moton “Serbia nuk kalon”, sipas eurodeputetit slloven, promovon bllokimin e marrëdhënieve ndërmjet shteteve, dhe se është në kundërshtim me vlerat evropiane. “Kjo ishte një demonstratë që promovon izolimin e Kosovës, me të cilën synohej çorientimi i Kosovës nga përpjekjet për integrim evropian”, theksoi Kacin për Radion Evropa e Lirë.

I pyetur nëse, vërtet, mund të tërhiqet një paralele ndërmjet gjendjes në veri të Kosovës, ku situata ka mbetur peng i politikës që nga paslufta, dhe asaj që ndodhi të shtunën, Kacin u shpreh: “Nuk dua të tërheq ndonjë paralele. Vetëm dua të sqaroj se si mund të shihet kjo. Natyrisht se jam elokuent kur them se kjo ishte kontra-produktive, sikurse për Kosovën, ashtu dhe për Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen”.

Por Kacin, i cili është edhe raportues i posaçëm për Serbinë në Parlamentin Evropian, ka thënë se aksioni i së shtunës lë përshtypjen e solidarizimit të Vetëvendosjes me barrikaduesit serbë në veri të vendit. Ai tha se ekziston një diskrepancë ndërmjet deklaratave dhe veprimeve të Kurtit dhe se me aksionin në fjalë synohej bllokimi i tregtisë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Kjo është në kundërshtim me dialogun ndërmjet Beogradit e Prishtinës. Ne po përpiqemi ta bindim Beogradin dhe Serbinë të promovojë tregtinë me Kosovën, të heqë dorë nga bllokimi i Kosovës në forume ndërkombëtare. Por, ai (Albin Kurti) po e bën të njëjtën gjë - ka një diskrepancë të madhe ndërmjet deklaratave të tij dhe demonstratave të tij”, u shpreh Kacin.

Anëtarët e Lëvizjes Vetvendosje kanë paralajmëruan një aksion të ngjashëm me atë të së shtunës, i cili pritet të mbahet më 22 janar, por Kacin sugjeroi që aksioni në fjalë të mos bëhet në Merdarë, por në kufirin me Shqipërinë, meqë siç ka thënë ai, Kurti ka deklaruar se është pro vlerave evropiane dhe tregtisë. “Ai (Albin Kurti) ka thënë, po ju citoj juve, se është në favor të tregtisë. Andaj, nëse është kështu, le të nis kjo në ndonjë kufi tjetër e jo në kufirin me Serbinë”, u shpreh Kacin.
Shtuar më 17/01/2012, ora 19:01
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori