Vetëvendosje: Rritja e pagave, për fushatë elektorale
Vetëvendosje
Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar sot ndaj deklaratës së kryeministrit në dorëheqje Hashim Thaçit për rritje pagash. “Vendimi i sotëm për rritje të rrogave të një pjese të punëtorëve të shërbimeve publike dhe një pjese të kategorive sociale, është vendim anti- kushtetues në njërën anë dhe shpërdorim i parasë publike pa asnjë planifikim nga ana tjetër”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga kjo lëvizje.

Deklarata vijon më tej se “Hashim Thaçi nuk ka të drejtë si kryeministër në dorëheqje që të marrë vendime të këtij lloji në emër të qeverisë, sepse kjo qeveri nuk ka fuqi ekzekutive në situatën në të cilën gjenden institucionet e Kosovës, e aq më pak për çështje buxhetore, kur dihet se buxheti nuk mund të miratohet pa u konstituuar Kuvendi i ri Kosovës”.

“Deklarata e tij se ky vendim nuk ishte vetëm premtim elektoral, bëhet pikërisht në ditën e dytë të mini-fushatës elektorale për ri-votim në tri komuna të Kosovës, me çka demaskohet në tërësi arsyeja e marrjes së këtij vendimi”, thuhet mes tjerash në komunikatën e Lëvizjes Vetëvendosje.
Shtuar më 06/01/2011, ora 18:48

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori