Dy orë nga protesta e opozitës, policia shoqëron disa persona dhe mbahen të bllokuar dy autobuzë
Kur na ndajnë dhe dy orë nga nisja e protestës së popozitës, PD denoncon se në rrethe kanë nisur presionet ndaj qytetarëve. Dy protestues janë shoqëruar nga policia në Korçë, ndërsa janë mbajtur të bllokuar dy autobusë. Lajmi bëhet i ditur nga kreu i PD në Korçë Andrea Mano, i cili akuzoi policinë se po ushtron presion mbi protestuesit.

Sipas Manos, dy protestuesit njëri prej të cilëve ish-polic po mbahen pa asnjë arsye të shoqëruar ndërkohë që policia nuk ka dhënë asnjë sqarim pse u shoqëruan.

Protestuesit janë ndaluar në një postbllok policie në hyrje të qytetit, në autobusin me të cilin po udhëtonin drejt Tiranës.

Ndërkohë që më herët i njëjti shqetësim u ngrit dhe në Elbasan, ku u shoqëruan për në Polici 20 persona, për të cilët u tha se do të verifikoheshin.

Kjo është protesta e gjashtë kombëtare e organizuar nga opozita e bashkuar, e cila kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, zgjedhje të parakohshme parlamentare, dhe shtyrjen e zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit.

Opozita ka marrë leje për protestën e sotme deri në mesnatë, ndërsa ende nuk dihet nëse ka një plan për të qëndruar edhe më tej në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, apo do të zgjidhet të marshohet në disa institucione të rëndësishme si parlamenti apo policia. /albeu.com/

Shtuar më 25/05/2019, ora 17:13
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori