Rama flet për akuzat ndaj Arben Ahmetajt: Nëse do dalin se janë të vërteta, nuk e ndihmoj dot!

Kryeministri Edi Rama  foli sot për akuzat ndaj ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj.

Në  një intervistë për emisionin “Opinion”, Rama u shpreh se nëse akuzat që kanë dalë për të janë të vërteta dhe kjo vërtetohet nga prokuroria atëherë atij i vjen shumë keq pasi ka bashkëpunuar me të, por nuk e ndihmon dot.

Rama theksoi se ai që shkel aty ku nuk duhet, do të përgjigjet.

Ai solli si shembull, rastin e ish-ministrit Saimir Tahiri dhe shtoi se PS nuk është studio avokatie.

Çfarë po ndodh me Arben Ahmetajn? Çfarë raporti keni ju?

Rama: Kur unë kam filluar luftën për reformën në drejtësi e besoja atë gjë dhe e kam ditur shumë mirë që do të thotë të hapësh rrugën që drejtësia të ketë në dorë armë dhe të godasi majtas dhe djathtas. e kam ditur e kam thënë dhe i qëndroj asaj. Kur numërohen këto raste mua nuk më vjen mirë se në aspektin njerëzor unë me këtë njerëz kam patur marrëdhënie. Por kjo është gjëja që kam kërkuar. Kush shkel aty ku nuk duhet përgjigjet, kjo është gjëja që kam kërkuar unë.

Kam thënë gjithmonë se jemi një skuadër, kush gabon se i merr koka erë do i dali për zot vetë pastaj… Ai ka qenë bashkëpunëtori im, kam punuar me të për një periudhë të gjatë. Nëse këto që dalin nëse janë të vërteta më vjen shumë keq, por nuk e ndihmoj dot.

Emri i Arben Ahmetajt ka dalë edhe më parë në atë që njihet si skandali i inceneratorëve, por ish-zëvendëskryeministri vazhdimisht ka mohuar çdo përfshirje.

Në një kallëzim të depozituar në SPAK nga gazetari Adriatik Doçi, pretendohet se prokurorët Klodian Braho dhe Eneid Nakuçi që po hetojnë dosjen e inceneratorëve, kanë fshehur provat të cilat fajësonin ish-zëvendëskryeministrin Ahmetaj. Kallëzimi pretendon se Zoto kishte paguar disa hotele jashtë vendit në të cilat ka qëndruar Ahmetaj.

Për abuzimet e dyshuara me fondet për ndërtimin e dy impianteve të incenerimit të mbetjeve në Fier dhe në Tiranë, SPAK ka marrë të pandehur ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, i cili është prej një viti i arrestuar, deputetin Alqi Bllako, administratorët e kompanive të përfshira, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto dhe një numër të akuzuarish të tjerë.

Sa i përket inceneratorit të Elbasanit, 10 persona janë të pandehur, nga të cilët 4 janë në burg, 3 po hetohen në arrest shtëpie ndërsa 3 janë në kërkim. Për inceneratorin e Fierit janë nën akuzë 21 persona, por një pjesë e të akuzuarve janë të njëjta në të dy hetimet.

Ndërkohë, për projektin e inceneratorit të Tiranës, prokuria vazhdon hetimet por nuk ka dhënë asnjë masë shtrënguese ndaj personave të dyshuar apo kompanisë Integrated Energy BV Shpk, e cila vazhdon të marrë qindramijëra euro nga buxheti shtetit çdo muaj, edhe pse nuk bën incenerim të mbetjeve.


Shtuar 16.02.2023 23:07