Kërkoi ulje dënimi për vitin 2019, Apeli rrëzon kërkesën e Dritan Dajtit

Gjykata e Apelit ka rrëzuar kërkesën e Dritan Dajtit për ulje dënimi me 45 ditë për vitin 2019-2020.

Në vendimin e Apelit, thuhet se është vendosur që të lihet në në fuqi vendimin e Gjykatës së Elbasanit.

Gjykata eElbasanit, në tetor të vitit të shkuar, bashkoi dy dënimet ndaj Dritan Dajtit, me 25 dhe 23 vite në një të vetëm me 25 vite heqje lirie.

Vendimi i Apelit

Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:

Në  Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan, është zhvilluar gjykimi lidhur me kërkesën penale që i përket të pandehurit me iniciale D.D, me objekt: Përfitim nga amnistia.

Rezulton se me vendimin penal nr. 1108 datë 11.05.2020 të Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, ka vendosur bashkimin  me një dënim të vetëm me 25 (njëzet e pesë) vjet burgim, për të pandehurin me iniciale D.D.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, me vendimin nr. 579, datë 13.07.2022 ka vendosur:

Përfitimin e një viti amnisti (shuarje) nga vuajtja e dënimit të dhënë me vendimin nr. 146, datë 17.03.2006 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë ndaj të dënuarit D.D.

Deklarimin e papranueshëm të pikave të tjera të kërkesës për shkak të heqjes dorë.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë Elbasan, që kërkoi ndryshimin e vendimit të shkallës së parë dhe rrezimin e kërkesës së kërkuesit D.D.

Në përfundim të gjykimit në apel, sot më datë 26.06.2023, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm,  përbërë nga Gjyqtar z. Genti Dokollari, vendosi:

– Lënien në fuqi të vendimit nr.579 datë 13.07.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan

Gjithashtu, në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Elbasan, është zhvilluar gjykimi lidhur dhe me kërkesën penale që i përket të pandehurit me iniciale D.D, me objekt: Ulje dënimi 45 ditë për vitin 2019-2020.

Me vendimin nr. 13-2022-4954 (826), datë 26.10.2022, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka vendosur:

Rrëzimin e kërkesës së kërkuesit D.D.

Çështja në Apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga i pandehuri me iniciale D.D, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit pranimin e kërkesës.

Në përfundim të gjykimit në apel, sot më datë 26.06.2023, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, përbërë nga Gjyqtar z. Genti Dokollari, vendosi:

Lënien në fuqi të vendimit nr. 826, datë 26.10.2022, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan.

Tiranë më, 26.06.2023


Shtuar 26.06.2023 13:51