VENDIMI/ Që sot e tutje edhe fëmijët nën 6 vjeç do të paguajnë transportin publik
Nëse deri më sot, fëmijët nën 6 vjec nuk paguanin transportin pbulik, tashmë gjërat do të ndryshojnë.

Në linjat e urbaneve të kryeqytetit tashmë prej disa ditësh është vendosur vendimi që të gjithë do të paguajnë.

Vendimi është marrë nga Bashkia e Tiranës në bashkëpunim me Shoqatën e Transportit Publik.

Drejtori Teknik i Shoqatës së Transportit Publik, Kujtim Hashorva thotë se këtë herë ndaj atyre që nuk e respektojnë vendimin do të merren masa penalizuese ndaj atyre që shoqërojnë fëmijët duke u gjobitur.

Familjet e fëmijëve e kundërshtojnë diçka të tillë në mënyrë kategorike dhe e cilësojnë të padrejtë pasi kjo përkthehet në kosto shtesë.

Për Ora News prindërit janë shprehur:

Prindër: Është i padrejtë. Ne lëvizim disa herë në ditë, jo në shkollë, jo në kurs.

Por çfarë ndodh në Evropë?

Në Luksemburg që prej gushtit të këtij viti, çdo fëmijë dhe i ri nën moshën 20 vjeç mund të përdorë transportin publik falas, madje pa qenë të detyruar të tregojnë kartën e identitetit për të vërtetuar moshën e tyre. Në Itali fëmijët nën 10 vjeç nuk kanë nevojë të pajisen me biletë ndërsa më të rriturit paguajnë një çmim të reduktuar. Por a mund të ndiqen këto politika edhe në Shqipëri?

Hashorva: Plotësisht e mundur, por shteti duhet të rimbursojë, siç rimburson veteranët apo studentët.

Në Tiranë janë rreth 300 mijë persona që përdorin transportin publik çdo ditë, për studentët personat me aftësi të kufizuar dhe veteranët çmimet janë të reduktuara, por Shoqata e Transportit Publik thotë se nuk ka marrë mbrapsht asnjë rimbursim.
Shtuar më 24/09/2018, ora 20:52
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori