Çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo: Imazhet e rreme që po qarkullojnë pas tërmetit që goditi Turqinë dhe Sirinë

Brenda pak orësh nga tërmeti që goditi Turqinë dhe Sirinë, përmbajtje të rreme filluan të qarkullojnë në internet.

Fotot dhe videot nga fatkeqësitë e mëparshme në vende të tjera u shpërndanë nga njerëz me pretendimin se ato tregonin dëme të shkaktuara nga lëkundjet e së hënës.

BBC ka veçuar disa nga imazhet më virale, që janë shpërndarë në rrjet me pretendimin se janë nga tërmeti i së hënës, por në fakt nuk rezulton ashtu.

Centrali bërthamor

Një postim në Twitter – nga një përdorues i verifikuar i Twitter-it – pretendonte se tregonte shpërthimin e një centrali bërthamor, për shkak të tërmetit në Turqi.

Videoja mori më shumë se 1.2 milionë shikime.

Tweet-i gjithashtu thoshte “Nuk është konfirmuar, a është kjo e vërtetë?”.

Nuk ishte një imazh i vërtetë i shpërthimit të një centrali bërthamor turk.

Në një kërkim për të parë nëse ato imazhe ishin shfaqur në internet më parë, u zbulua se ato ishin në të vërtetë nga pasojat e shpërthimit të Bejrutit në gusht 2020, i cili rezultoi në vdekjen e të paktën 200 njerëzve.

Twitter më vonë shtoi një shënim nën tweet, duke sqaruar origjinën e tij reale.

Shembja e ndërtesës

Në orët e para të së hënës, një video që pretendonte se tregonte një shembje ndërtese në Turqi u shpërnda në internet, duke grumbulluar më shumë se një milion shikime në Twitter.

Sidoqoftë, nga një kërkim në Google u zbulua se klipi tregon në fakt shembjen vdekjeprurëse të godinës së Surfside në Florida në qershor 2021, pamjet e së cilës u shpërndanë gjerësisht në atë kohë.

Tsunami godet bregdetin

Komediani britaniko-iranian, Omid Djalili, ndau një video në llogarinë e tij në Twitter të asaj që ai pretendonte se ishte një “cunami pasi tërmeti goditi brigjet e Turqisë”. Video është parë rreth 300,000 herë.

Videoja tregon një valë të madhe që përfshin ndërtesat pranë një plazhi, ndërsa njerëzit vrapojnë për të shpëtuar jetën e tyre.

Por, përsëri, nga kërkimi në internet rezultoi se klipi në fakt daton në shtator 2018 dhe është nga Indonezia.

Ai tregoi pasojat e një tërmeti me magnitudë 7.5 që goditi ishullin Sulawesi, duke shkaktuar një cunami që dëmtoi qytetin bregdetar të Palu.


Pasi njerëzit ia vunë në dukje këtë, z. Djalili shkroi përsëri në Twitter për të thënë: “Unë e kuptoj që kjo NUK ishte Turqia dje …e postuar emocionalisht natën vonë nga burime zakonisht të besueshme.”

Shembja e skelës

Një postim në Twitter tregoi një video me skela nga një ndërtesë e lartë që binte në tokë.

Tweet-i pretendonte në mënyrë të rreme se kjo ishte shkaktuar nga tërmeti në Turqi dhe u shpërnda në platforma të shumta dhe mblodhi qindra mijëra shikime.


Kjo video në fakt ishte nga një incident në Japoni në vitin 2016. Ajo u postua nga i njëjti përdorues që postoi fotot e shpërthimit të Bejrutit.

Imazhi i qenit

Një imazh i një qeni të shtrirë në majë të rrënojave, me putrën e tij pranë një dore të dalë nga mbeturinat, u shpërnda pas tërmetit, shoqëruar me mbishkrimin “foto zemërthyese e ditës” dhe një hashtag të Turqisë.

Imazhi është parë më shumë se 1.4 milionë herë deri më tani.

Por një kërkim i imazhit duke përdorur teknologjinë e Google Lens të disponueshme lirisht çon në të njëjtën foto në një faqe interneti me imazhe të aksioneve, me titull “Qeni kërkon njerëz të lënduar në rrënoja pas tërmetit”.

Faqja e internetit thotë se imazhi është marrë më 18 tetor 2018, duke dëshmuar se nuk ka lidhje me tërmetin e kësaj jave. /AlbEu.com


Shtuar 8.02.2023 15:52