Veliaj hedh poshtë zërat: Nuk kam interes për partinë
I ftuar në emisionin “Pushime on Top”, kryetari i Bashkisë së Tiranë, Erion Veliaj ka treguar planet e ardhshme në politikë si dhe raportin me Edi Ramën. E pohon në mënyrë të prerë se ai do të jetë kandidat për një mandat të dytë për të drejtuar kryeqytetin shqiptar.

“Për vitin tjetër patjetër, edhe unë do t’i nënshtrohem një gjykimi të Partisë Socialiste. Unë kandidoj me atë uniform, me atë bluzë. Dëshira është për të çuar punët përpara”, tha Erion Veliaj shkruan tch.

Por cili është raporti me Kryeministrin Edi Rama dhe a ka marrë bekimin e tij për të gjitha punët e bëra nga Kryetari i Bashkisë?

“Unë jam me shumë fat. Unë nuk e di si është të punosh me një kryeministër që nuk të mbështet, sepse unë i kam parë vetëm një anë të shkëlqyer të një kryetari bashkie që mbështetet nga kryeministri i vet, por për fat edhe ai ka qenë kryetar bashkie. Nëse dikujt duhet t’ia shpjegoj shiko se ky kanalizimi aty…se kjo rruga na e ndan lagjen, ai klikon menjëherë. Unë kam qenë shumë i bekuar”, tha Veliaj.

Duke folur për punët në Tiranë dhe politikën Erion Veliaj tregon nëse një ditë do të drejtojë “shtëpinë e tij politike”, Partinë Socialiste.

“Së pari unë nuk e kam këtë ambicie, jam komplet i përfshirë nga Tirana. Kemi një kryeministër që po e qanë këtë punë. Padiskutim që Edi Rama do të hyjë në histori si Kryeministri më i mirë që Shqipëria ka pasur që nga shpallja e pavarësisë, nëse shikojmë sa gjurmë ka lënë dhe shikojmë si e ka transformuar jo logjistikën…kur më pyet dikush se cila është puna më e vështirë i them: 100 km rrugë s’është e vështirë të bëhen, por mendjen si e ndryshon. Edi do vlerësohet patjetër për këto Lungomaret dhe infrastrukturën, por mbi të gjitha si ka ndryshuar mentalitetin. Si kemi mësuar të paguajmë taksa, të paguajmë energjinë elektrike, të mos vjedhim ujin, të mos vjedhim hapësirën publike, të mos ndërtojmë pa leje. Fakti që ka ndryshuar mentalitetin do t’i japi Edi Ramës një vend shumë të rëndësishëm në histori”, tha Erion Veliaj në “Pushime on Top”.



Ai komentoi edhe çështjen e Teatrit të ri Kombëtar, për të cilin tha se në fund do të vendosë shumica e arsyeshme e shoqërisë.

“Ti provokon me një gjë të re, fillimisht reagon një grup njerëzish të keqkuptuar, siç ishin artistët, dhe pasi artistët janë sqaruar, futen në lojë partitë politike, e në fund fare vendos shumica e arsyeshme e shoqërisë. Në të gjitha betejat, si në sheshin “Skënderbej”, për Lodrat te Liqeni, për Pazarin e Ri, për Bulevardin e Ri, ka qenë ky skenar. Pra, fillimisht reagon grupi legjitim i shqetësuar dhe pasi ky grup sqarohet, vijnë partitë politike që mund të përfitojnë nga ky grup, acarohen dhe e rrëmbejnë protestën për interesat e tyre”, deklaroi Veliaj.

Ai tha se debati i ngritur deri më tani i ngjason edhe debateve të mëparshme, kur bashkia ka nisur një projekt, i cili më pas ka rezultuar një sukses.

“Kjo është si të pyesësh dikë që e ka parë një herë një film, ta zëmë, me gara me kuaj, ku në fund fare fiton kali i bardhë. Dhe dikush të pyet: Mendon se në këtë film mund të fitojë edhe kali i zi? Përgjigja është jo sepse kur filmi është parë një herë, është prodhuar një herë, gjasat janë që sa herë të përsëritet të fitojë kali i bardhë. E pamë te këndi i lodrave: Filmi që unë pashë te Këndi i Lodrave është që kur ti do të bësh diçka që ndryshon, që provokon status quo-në, që sfidon njerëz që mund t’i kishin bërë më përpara këto, sfidon edhe disa realitete letargjike, trazon ujin e ndenjur. Sigurisht, kur trazon ujin e ndenjur, algat dhe bakteret e atij uji, u ke prishur status quo-në disave, pavarësisht se për komunitetin trazimi i ujit të ndenjur është diçka e mirë. Kështu që, duke qenë se e kam parë një herë këtë film, në fakt e prisja këtë zhvillim dhe deri tani është brenda skenarit”, deklaroi Veliaj.
Shtuar më 31/07/2018, ora 23:34
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori