Pas protestave masive, Bullgaria ndryshon ligjin për mbrojtjen nga dhuna në familje

Parlamenti i Bullgarisë më 7 gusht i aprovoi ndryshimet në Kodin Penal dhe në ligjin për mbrojtje nga dhuna në familje, pas një rasti tronditës të dhunës ndaj një vajze 18-vjeçare, i cili nxiti protesta masive.

Deputetët, të mbledhur në një seancë të jashtëzakonshme, i miratuan ndryshimet me 144 vota për dhe 58 kundër.

Këto ndryshime sigurojnë të drejtën për mbrojtje për njerëzit të cilët kanë përjetuar dhunë në marrëdhënie intime, apo për viktimat e dhunës të cilat as nuk janë të martuara me abuzuesin e tyre të mundshëm e as nuk janë në një lidhje dashurie.

Mijërat njerëz protestuan në Sofje dhe në qytetet e tjera bullgare, pasi një grua nga qendra e qytetit Stara Zagora u rrah dhe u ther plot herë me thikë nga i dashuri i vet.

Ky incident ishte bërë publik më 28 korrik, vetëm pasi familja kishte shprehur zemërimin me ritmin e ngadaltë të hetimeve.

Protestuesit e zemëruar bënë thirrje për ndryshimin e legjislacionit dhe për përmirësimin e masave mbrojtëse për gratë, duke bartur banerë me mbishkrimin: “Asnjë grua tjetër më shumë”.

I dyshuari 26-vjeçar, i identifikuar në media si Georgi Georgiev, u arrestua pas sulmit, por një gjykatë në Stara Zagora e liroi atë më vonë, pasi i cilësoi lëndimet e vajzës si të “lehta”.

Ai u arrestua përsëri më 31 korrik, pas zemërimit publik dhe zyra e prokurorit njoftoi se e kishte përshpejtuar hetimin.

Statistikat e policisë bullgare tregojnë se 18 gra u vranë në tre muajt e parë të këtij viti nga të dashurit e tyre të dyshuar. Aktivistët për të drejtat e grave thonë se ky numër është shumë më i lartë./rel/


Shtuar 7.08.2023 16:34

Tags: