Vazhdonin të vinin baste, përballen sot me gjykatën 84 biznesmenët e arrestuar
Gjykata e Tiranës do të japë sot masat e sigurisë për 84 nga 115 personat e arrestar për ushtrimin e aktivitetit të jashtëligjshëm të lojrave të fatit.

Mes të arrestuarve është edhe Gramoz Murataj, i konsideruar nga hetuesit si një nga personat kryesorë në këtë aktivitet të jashtëligjshëm. Gjithashtu, gjatë operacionit të zhvilluar tri ditë më parë u sekuestruan edhe vlera të larta monetare.

“Janë sekuestruar shuma të mëdha parash, kompjuterë të lojërave të fatit, armë zjarri, dhjetëra aparate celularë e aksesorë të tjerë, që shërbenin për organizimin dhe implementimin e aktivitetit kriminal.

Ndër të arrestuarit janë edhe disa nga organizatorët kryesorë të kësaj veprimtarie të paligjshme, që sipas parashikimeve të Kodit Penal, dënohet nga 7 deri në 15 vjet burg”, njoftoi Policia.

Ndërkohë, drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elizabeta Imeraj, u shpreh se veprimtaria e paligjshme e goditur në bazë të operacionit policor, ka ardhur si rezultat i veprimtarisë hetimore prej disa muajsh.

Imeraj tha se operacioni është në vazhdim dhe priten rezultate të tjera. Ndërkohë që e konsideroi operacionin dhe hetimin një sukses.

“Veprimtaria e paligjshme e goditur në bazë të operacionit policor, i ardhur si rezultat i veprimtarisë hetimore prej disa muajsh, e udhëhequr nga prokurorët e çështjes së prokurorisë Tiranë, u përmbyll në mënyrë të suksesshme. Falënderoj impenjimin e punonjësve të Policisë së Shtetit. Në kuadër të një procedimi të nisur në korrik të vitit 2019, si rezultat i metodave speciale të hetimit u bë i mundur evidentimi, identifikimi, lokalizimi e më tutje përmbyllja në një operacion policor të suksesshëm me arrestimet e ditës së kaluar”, tha Imeraj.


Shtuar më 24/02/2020, ora 09:26

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori