Apeli la në burg Dritan Goxhajn, koloneli: Ndaj tim biri po bëhet shkelje e madhe, çështjen do e dërgoj në Strasburg

Koloneli Dilaver Goxhaj, në një intervistë për News24 i bën thirrje qeverisë së Kosovës dhe qeverisë shqiptarë që të reagojnë për çështjen ku është përfshirë djali i tij Dritan Goxhaj, ish-luftëtar i UÇK-së.

Dritan Goxhaj u arrestua në Tiranë me urdhër të Gjykatës Speciale. Ngjarje kjo që ka sjellë reagime të shumta. Në këtë intervistë për gazetarin Igli Çelmeta, koloneli Dilaver Goxhaj u shpreh se nuk e priste këtë ‘shpërblim’ pas luftës në Kosovë.

“Përse nuk ekziston në Shqipëri e drejta e prevalimit?”, shtron ai pyetjen gjatë kësaj interviste.

Ndër të tjera shtoi se pas gjithë kësaj çështje qëndrojnë forca të caktuara të Europës që kanë qenë dhe janë aleatë me Serbinë.

Gjithashtu ai u shpreh: “Këtë e bëjnë forca të caktuara të Europës që kanë qenë dhe janë aleatë me Serbinë. Nuk e kam takuar djalin, sot që shkova të takoja më duheshin disa dokumente dhe nuk e takova. I bëj apel që të bëjnë vetëm drejtësi të shohin ligjet e Republikës së Shqipërisë. Edhe në kohën e sistemit monist, nuk dënohej njeri përse shkruhej kundër qeverisë, dënoheshin për veprimtari që donin të rrëzonin qeverinë, por gjyqe të tilla? Aq më keq që trajtohet në një gjykatë që Shqipëria nuk e njeh. Kërkon që gjyqi që është bërë me revokim nga avokati të bëhet me dyer të hapura që të jemi të qartë dhe i gjithë opinioni publik. Përse bëhet kjo këmbëngulje për ekstradimin me urgjencë për djalin tim”./bw


Shtuar 18.08.2023 19:21