Vaksina e gripit sezonal monopol?! Nisin hetimet ndaj depos "Megapharma"
Autoriteti i Konkurrencës ka nisur hetimet ndaj depos farmaceutike "Megapharma" e cila deri më tani ka ekskluzivitetin e shpërndarjes së vaksinës anti-gripale.

Nga hetimet që do të zhvillojë ky autoritet, do të vlerësohet nëse "Megapharma" ka abuzuar duke e tregtuar vaksinën vetëm tek "Orange".

Në anën tjetër "Orange”, ka 75 % të aksioneve në “Megapharma”, në pronësi të Rasim Hamzaraj, kushëri i ish-deputetit të LSI-së dhe ish-ministër i Shëndetësisë, Petrit Vasili.

Ndërkohë Autoriteti i Konkurrëncës bën me dije se " në kuadër të hetimit të nisur me 23 shtator 2020 “Për hapjen e Hetimit Paraprak në Tregun e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore”, do të vlerësohen të gjitha kontratat e ekskluzivitetit të akorduara nga Agjencia Kombëtare e Barnave. Në këtë kuadër do të vlerësohet sjellja e operatorëve që kanë marrë këto eksluzivitete, nëse abuzojnë apo jo me tarifat e kushtet, të cilat mund të përbëjnë shkelje të nenit 9 të ligjit nr. 9121 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, abuzimi me pozitën dominuese".

Më herët, Report Tv kërkoi edhe një përgjigje zyrtare, nga Agjencia Kombëtare e Barnave se sa depo kanë kërkuar të shpërndajnë vaksinën anti-gripale dhe sa janë pranuar e refuzuar dhe përgjigjja e marrë është se aplikimin për autorizim e ka bërë vetëm "Megapharma" duke cituar më tej që "çdo subjekt i autorizuar nga kompanitë mbajtëse të autorizimit të tregtimit është i lirë të importojë dhe tregtojë vaksinën e gripit në Republikën e Shqipërisë, pas procedurave importuese dhe inspektuese që ushtron Agjencia".

Por, vaksina ende nuk mund të gjendet në asnjë farmaci.

Ndërsa Ministria e Shëndetësisë ka nisur shpërndarjen për grupet e riskut, të gjithë qytetarët e tjerë që dëshirojnë ta bëjnë privatisht vaksinën, nuk do të munden të paktën derisa autoriteti i Konkurrencës të nxjerrë rezultatet e para nga ky hetim nisur ndaj Megapharmën, ndërsa ende për këtë vaksinë, nuk dihet se sa do të jetë çmimi.
Shtuar më 05/10/2020, ora 14:43

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori