Djali i “Dajës” ngre akuzën e rëndë: Ndërroi jetë nga neglizhenca në burg

Një prej grabitësve të avionit me para në Rinas, Ragip Hajdini ndërroi jetë disa ditë më parë. I njohur ndryshe si “daja”, ai dyshohet se ishte personi që ka siguruar furgonin që u modifikua në Elbasan me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”. Kosovari, së bashku me Admir Muratajn dyshohen që të jenë edhe ata që kanë iniciuar grabitjen.

Ndërkohë ditën e sotme ishte në një lidhje direkte me emisionin “Shqipëria Live”, djali i tij Dardani, i cili u shpreh se babai ishte i pafajshëm dhe kërkon që të vendoset drejtësi për të.

“Sipas avokatit dhe provave që janë mbledhur deri tani, tregojnë se për këtë rast është i pafajshëm”, tha ai.

Ndërsa duke folur për sëmundjen e të atit, Dardani u shpreh se babai i tij ka ndërruaer jetë “nga neglizhenca në burg”.

“Kemi marrë informacion pas 5 ditësh që ishte transferuar te Trauma. Ka qenë dita e Bajramit kur është transferuar në spital, ashtu siç ka thënë shoku i tij i dhomës. Kur shkuam te spitali kuptuam se çfarë kishte, nuk e dinim se ishte rëndë. Na kishte thënë se ishte i sëmurë. Ka kërkuar 2-3 javë më parë që të kontrollohej në mënyrë më të specializuar dhe nuk e kanë marrë parasysh kërkesën e tij. Kur ka qenë në qeli kemi patur kontakt çdo ditë”, tregoi ai.


Shtuar 16.06.2020 11:58