Shqiptarët nuk i ndahen gomoneve për emigrimin drejt Anglisë, presidenti Begaj takon ambasadorin britanik

Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka zhvilluar ditën e sotme një takim me ambasadorin britanik në vend Alastair King-Smith ku ndër temat e diskutuara kanë qenë marrëdhëniet mes vendeve dhe çështja e emigrimit.

Begaj u shpreh përmes një postimi në Facebook se ka theksuar rëndësinë e iniciativave të përbashkëta për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve shqiptarë dhe veçanërisht të rinjve.

Sakaq, ai theksoi se është momenti për investime dhe projekte konkrete për përmirësimin e zonave veriore të Shqipërisë për të krijuar premisa për një lëvizje dhe emigracion të rregullt

Postimi i plotë:

Zhvillova sot një takim me Ambasadorin britanik Alastair King-Smith, me të cilin biseduam për nevojën e rritjes dhe forcimit të marrëdhënies midis Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, në kuadër dhe të 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve dypalëshe.

Gjatë takimit, theksova rëndësinë e iniciativave të përbashkëta që i vijnë në ndihmë qytetarëve shqiptarë dhe në mënyrë të veçantë të rinjve dhe mbështetjes së aspiratave të tyre.

Është momenti për projekte dhe investime konkrete që do të përmirësojnë jetën e banorëve në zonat veriore të vendit dhe do të krijojnë premisat për një lëvizje dhe emigracion të rregullt.