Audi A8 “fluturon” në Rrugën e Kombit me 205km/h, si e pësoi drejtuesi

Mjetet e Inteligjencës së Policisë Rrugore kanë konstatuar një mjet luksoz Audi A8 që po lëvizte me shpejtësi prej 205 km/h në Rrugën e Kombit.

Për pasojë, drejtuesi është gjobitur me 40,000 lekë të rinj dhe me masë plotësuese

“Qarkulloi me shpejtësi 205 km/orë, në Rrugën e Kombit, konstatohet nga mjetet inteligjente të Njësisë së Policisë Rrugore për Sigurinë e Autostradës “Milot-Morinë”, si dhe ndëshkohet me masë administrative 40 000 lekë të rinj dhe me masë plotësuese, drejtuesi i një automjeti tip “Audi A8””, njofton policia.

Gjithashtu nga kontrollet, gjatë 2 javëve të para të muajit korrik, shërbimet e Njësisë së Policisë Rrugore për Sigurinë e Autostradës “Milot-Morinë”, të pajisura me mjete logjistike bashkëkohore, ndëshkuan 144 shtetas që drejtonin automjetin përkatës, me shpejtësi nga 150 km/orë deri në 205 km/orë, prej tyre:

-135 shtetas kosovarë u ndëshkuan me masë administrative sa dyfishi i masës administrative që parashikon Kodi Rrugor;

-9 shtetasve shqiptarë iu është pezulluar leja e drejtimit për periudha nga 3 deri në 12 muaj, si dhe iu janë zbritur nga 5 deri në 8 pikë nga leja përkatëse e drejtimit.

Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, 70 automjete janë shpallur “Alert”, pasi qarkullonin me shpejtësi tej normave të lejuara, në tunelin e Kalimashit.


Shtuar 15.07.2023 09:36