U vra nga një shqiptar, del videoja e ekzekutimit të bosit të mafias greke (VIDEO)
Vrasja e biznesmenit grek-australian Yannis Makris të enjten e shkuar në Athinë ishte e fundit mes ekzekutimeve të bujshme të njerëzve të nëntokës greke.

Ai kishte jetuar për vite të tëra në Australi duke u akuzuar atje për trafik ndërkombëtar të lëndëve të forta narkotike, ndërkohë që kishte disa investime të mëdha në Greqi.

Autoritetet greke kanë siguruar një filmim të kamerave të sigurisë në momentin kur u krye ekzekutimi i tij me një pistoletë me silenciator nga një person i gjatë dhe me kapele, raporton Albeu.com.

Nga videoja duket se vrasësi i është afruar nga krahu i djathtë i makinës duke qëlluar disa herë me pistoletë. Makris ka dalë nga makina duke vrapuar jashtë, por atentatori e ka ndjekur duke e qëlluar edhe dy herë në kokë për t'u siguruar se kishte kryer porosinë.

Autoritetet greke dyshojnë se Makris u vra për pazare të prishura, por nuk mungojnë edhe lidhjet që i bëjnë me vrasje të tjera të bujshme të bosëve të mafias të ndodhura javë më parë në Athinë.

Gjatë ditës së djeshme, mediat greke duke iu referuar autoriteteve policore raportuan se ka dyshime se vrasësi me pagesë mund të ketë shkuar nga Shqipëria dhe të jetë kthyer sërish pasi ka kryer "porosinë". /albeu.com/

Shtuar më 06/11/2018, ora 12:49

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori