U lanë pa aprovim për të kandiduar, si e pritën ish-deputetet e PD
Ish-deputetët e PD-së, Ervin Salianji dhe Luan Baçi, reaguan në lidhje me listën e përgatitur nga Komisioni i Vlerësimit, duke e shtyrë aprovimin e tyre.

Luan Baçi, ish-deputeti i Fierit, i cili u konfirmua nga anëtarësia, u shpreh për gazetën “Panorama” se vendimi i komisionit ishte i pambështetur në fakte.

“Nuk i njoh fare dhe nuk më njohin. Kontrata ime është me Partinë Demokratike dhe me anëtarësinë që më ka votuar dy herë si kryetar dege në mënyrë plebishitare dhe rikonfirmoi në votimin për konfirmimin. Komisioni është opiniondhënës pa shpjegime dhe pa sqarime. Këto janë vendime që i merr Kryesia dhe kryetari dhe padyshim që unë kontratën e kam me Partinë Demokratike. Vendime vetëm kryetari dhe Kryesia merr. Komisioni nuk është statutor. I çuditshëm është opinioni i tyre, sepse nuk ka asnjë raport, asnjë argument, asnjë arsye dhe asnjë gjë. Kanë qenë mendime subjektive, personale”, tha Baçi.

Ndërkohë që, Salianji thotë se në zgjedhjet e kaluara, më 2017-ën, ka pasur rezultate rritëse dhe se konfirmon se nuk është konsumuar nga pushteti. “Beteja e gjatë opozitare më ka shërbyer të kuptoj se cili person dua të jem në politikë. Unë nuk kam përfituar dhe as jam konsumuar në pushtet. Kam sakrifikuar e investuar fort në betejën opozitare. Falë kësaj beteje, mbështetja masive e demokratëve nuk më ka munguar në asnjë hap të rrugëtimit politik, shkruan Panorama.

zgjedhjet e fundit me mirënjohje pohoj se isha më i vlerësuari nga anëtarësia e Partisë Demokratike. Po aq me mirënjohje përmend rezultatin më të mirë që ka marrë PD-ja në zgjedhjet e fundit parlamentare në qarkun ku garova falë mbështetjes tuaj dhe të qytetarëve. Për këtë dhe vetëm besimi dhe forca mbështetet te ju, si vlerësuesit më të rëndësishëm e legjitimë. Për këtë, misioni im është një dhe i vetëm: demokratët të jenë fitues”, shkroi Salianji, i cili ishte i vetmi ish-deputet në qarkun e Korçës që u konfirmua nga demokratët.

Referuar të dhënave të publikuara zyrtarisht nga KQZ-ja, evidentohet se qarku i Korçës në zgjedhjet e 2017-ës ka marrë 32.5% të votave, duke shënuar një rritje me 0.3 pikë % krahasuar me zgjedhjet e 2013-ës ku PD-ja në qarkun e Korçës mori 32.2% të votave.
Shtuar më 26/10/2020, ora 13:45

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori