Sherri me leva në Përmet, vihet në pranga një nga autorët, djali i tij në kërkim

Pas sherrit të djeshëm në Përmes, ku mbetën të lënduar rëndë tre persona pasi u goditën me leva, policia ka vënë në pranga një nga autorët e dyshuar dhe ka shpallur në kërkim djalin e tij, i cili gjithashtu ishte i përfshirë në sherr. Gjithashtu ka arrestuar dhe një 45-vjeçar që ka ndihmuar dy autorët të largoheshin nga vendngjarja.

“Përmet

Goditën me sende të forta, 3 shtetas, duke iu shkaktuar dëmtime të rënda, vihet menjëherë në pranga, njëri nga autorët e dyshuar, shpallet në kërkim djali i tij.

Arrestohet edhe një shtetas tjetër i cili ndihmoi autorin e dyshuar të arrestuar, për t’u larguar nga vendngjarja, me automjetin e tij.

Të arrestuarve iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 15 700 euro, 1753 dollarë, shuma të tjera parash në valuta të ndryshme, 1 armë gjahu, municion luftarak dhe 2 aparate celulare.

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, sipas të cilit në vendin e quajtur “Agjencia”, Përmet, u konfliktuan me sende të forta, shtetasit K. N. dhe J. N. (babë e bir) me shtetasit Dh. Xh., K. XH. dhe E. A. dhe për pasojë u dëmtuan shtetasit Dh. Xh., K. Xh. dhe E. A., ju bëjmë me dije se:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Përmet arrestuan në flagrancë shtetasin K. N., 48 vjeç dhe shpallën në kërkim shtetasin J. N., 25 vjeç (djali i shtetasit K. N.), të dy banues në Përmet, për veprat “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim dhe “Prishja e qetësisë publike”.

Gjithashtu, nga shërbimet e Policisë u arrestua në flagrancë edhe shtetasi Gj. B., 45 vjeç, banues në Përmet, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, pasi pas ngjarjes, ka ndihmuar shtetasin K. N., për t’u larguar nga vendngjarja, me automjetin e tij. Shtetasit K. N. dhe Gj. B., në momentin e ndalimit, kanë kundështuar me forcë punonjësit e Policisë”, njofton policia./albeu.com


Shtuar 29.10.2022 11:39