Meta kritikon “Pakon e Madhe” të qeverisë: Pilulë mashtruese elektorale

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, mbajti sot një konferncë për mediet nga ku foli për situatën aktuale në të cilën ndodhet ekonomia dhe politika e vendit tonë.

Meta komentoi ndër të tjera “Pakon e Madhe” të qeverisë për pensionistët,personat me aftësu të veçanta, nënat me më shumë se tre fëmijë dhe punonjësit e administratës. Meta tha se “Pako e Madhe” e dhënë nga qeveria është minimale dhe se është si një pilulë mashtruese elektorale.

Sipas tij, janë shpërdoruar 1 miliard euro të taksave shqiptare ndërsa borxhi publik ka arritur mbi 107%. Po ashtu hedh akuza ndaj Ramës se ka hedhur 100 milionë euro në llogaritë e disa oligarkëve më 27 dhjetor.

“Pa ndalur në vlerësimet për vitin e vështirë që lamë pas dhe mund të konsiderohet si vit ii rritjes së varfërisë dhe i vazhdimisht të shpopullimit nuk mund të rrija pa e nisur me denoncimin e pilulës mashtruese elektorale me zero impakt nga ana e qeverisë së Rilindjes. Vendosi të ndajë 8 miliardë lekë për pensionistët dhe familjet në nevojë dhe pse si pasojë e inflacionit të lartë arkëtoi 520 milionë dollar. Kryeministri trumbeton Pakon e Madhe me 80 milionë euro, vetëm sipas raportit zyrtar, shpërdorimi i taksave shqiptare kalon shifrën e 1 miliard eurove. Shitjet, qeratë dhe koncesionet janë të parat për dëmin e madh që i kanë shkaktuar vendit.
Stabiliteti financiar i vendit është më i tronditur se kurrë dhe borxhi publik ka arritur mbi 107%, Shqiptarët hyjnë në borxh vetëm që të vjedhë Edi Rama e Rilindja dhe nuk mjafton as për të larë borxhet që kemi marrë. Nëse Maqedonia e Veriut e shlyen borxhin me 1 vit eksporte, ne na duhen 3 vite. Vetëm në datë 27 dhjetor 2022, Edi Rama ka kaluar në llogaritë e një grushti oligarkësh rreth 100 milionë euro. Në mbledhjen e 12 dhjetorit ka miratuar vendime sikur tërmeti ka rënë në këtë datë jo në 26 nëntor 2019. Qeveria të zbatojë masa për transparencë për fondet e tërmetit dhe pandemisë e të publikonte emrat. 55% e fondit të investimeve për të gjithë vitin u shpërnda vetëm në muajin dhjetor”, tha Meta.

Bonusi prej 8 mijë lekësh është pjesë e “Pakos së Madhe” të dhënë nga qeveria. 695 mijë pensionistë do të marrin nga 8000 lekë nga Pakoja e Madhe, e cila do të mbështesë 1 milionë individë për të lehtësuar familjet nga inflacioni i luftës.
Ndërkohë 1 milionë shqiptarë do të përfitojnë sipas kategorive deri në 2000 lekë (të reja).

Po ashtu 8000 lekë do të përfitojnë 71 mijë persona me aftësi të kufizuar dhe 57.300 familjet me ndihmë ekonomike. Ndërsa për punonjësit e administratës mësohet se do të përfitojnë 20 mijë lekë ata që paguhen më pak se 60 mijë lekë dhe 10 mijë lekë përfitojnë ata që paguhen mbi 60 mijë lekë.

Sakaq 6700 gra me kryefamiljare me ndihmë ekonomike do të përfitojnë 20000 lekë nga Pakoja e Madhe, theksoi kreu i qeverisë./Albeu.com/